10 vite nga konflikti në Lagjen e Trimave, VLEN: 9 dhe 10 maji - ditë të kobshme për Kumanovën
09.05.2025 15:52
Kanë kaluar dhjetë vite nga ngjarjet tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë....

Kanë kaluar dhjetë vite nga ngjarjet tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Gjatë përplasjes dyditore më 9 dhe 10 maj 2015, humbën jetën tetë policë, pjesëtarë të njësisë speciale "Tigrat", ndërsa u vranë edhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe u plagosën të paktën 40 persona. VLEN-i, duke përkujtuar këtë ditë, vlerëson se kjo do të mbetet një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës, ndërsa akuzojnë BDI-në për mosveprim të duhur.
“Ngjarja e Kumanovës nuk është vetëm një kapitull i hidhur në historinë tonë, por edhe një tregues i qartë i dështimit moral, politik dhe institucional të atyre që për vite me radhë kanë keqpërdorur pushtetin në emër të shqiptarëve. VLEN-i shpreh keqardhje të thellë të gjithë të rënëve dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në ato ditë të kobshme.”, theksojnë nga koalicioni VLEN.
Incidenti ndodhi katër muaj, pasi lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, filloi publikimin e të ashtuquajturave "bomba". Opozita e atëhershme akuzonte se sulmi ishte një përpjekje për të devijuar vëmendjen e publikut nga "bombat" që ekspozonin Qeverinë dhe nga protestat masive në Shkup, ndërsa Qeveria e VMRO-DPMNE-së akuzonte sulmuesit se synonin destabilizimin e vendit. Dy ditë pas përplasjes së përgjakshme, tre funksionarë të lartë që konsideroheshin më të afërt me ish-kryeministrin, Nikola Gruevski, dhanë dorëheqje: ministrja e atëhershme e Brendshme, Gordana Jankullovska; drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe ministri i Transportit, Mile Janakieski.
Dy vite pas incidentit të përgjakshëm, 33 pjesëmarrës të akuzuar për terrorizëm u dënuan me burg: shtatë prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm, 13 persona me 40 vjet burg, gjashtë me 20 vjet, një me 18, dy me 14, dy me 13 dhe dy me 12 vjet burg. Vendimi shkaktoi protesta në Maqedoni dhe në Kosovë, ndërsa Qeveria e Kosovës u pagoi nga 10.000 euro 29 familjeve të të vrarëve dhe të dënuarve për ngjarjet në Lagjen e Trimave.
ERSAN PAJAZITI