Vrasje me armë zjarri në Shtip, MPB arrestoi autorin, shkaqet ende nuk dihen

09.05.2025 15:52

Policia mbrëmë ka arritur të arrestojë shtetasin turk K.K....

Policia mbrëmë ka arritur të arrestojë shtetasin turk K.K., i cili dyshohet se ka kryer vrasjen e bashkëvendësit të tij turk E.O. në Shtip. Edhe pse ai fillimisht me ndihmën e katër shokëve të tij ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ku e kishte qëlluar më parë atë, MPB-ja ka arritur të kapë të gjithë grupin e tij afër pikës pagesore “Milladinov”.  Të gjithë të dyshuarit nga Turqia tani janë arrestuar dhe ndaj tyre po ndërmerren masa për procedurën e mëtejshme hetimore, ndërsa 25-vjeçari nga Turqia E.O. ndërroi jetë.
 
“I lënduari u transferua në spitalin e Shtipit, ku rreth orës 22:10 minuta ka ndërruar jetë. Pas marrjes së aktiviteteve policore ku njëherit u përdor edhe dron në afërsi të pikës pagesore “Miladinov”, nëpunësit policorë i kanë privuar nga liria  K.K. nga Republika e Turqisë, për të cilën dyshohet se e ka kryer vrasjen, si dhe A.H. T.M, O.M  dhe A.O. të gjithë nga Turqia, të cilët dyshohen se e kanë ndihmuar K.K. për t’u arratisur nga  vendi i ngjarjes.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
 
Autoritet e MPB-së dhe të PThP-së së Shtipit kanë inspektuar vendin e ngjarjes dhe kanë arritur të sigurojnë dhe sekuestrojnë pistoletën, gëzhojat dhe provat, të cilat do të dërgohen për ekspertizë të mëtejshme. 
 
“Janë kontrolluar dhe siguruar video-xhirimet nga vendi i  ngjarjes. Njëherit po ndërmerren edhe veprime të tjera për sigurimin e dëshmive, ndërsa veprimtaria hetuese do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtipit.
 
Deri në këto momente MPB-ja ende nuk i bën të ditura shkaqet për të cilat ka ardhur deri tek vrasja. Nuk dihet nëse ata të dy kanë pasur mosmarrëveshje më herët. Ajo që dihet deri në këto momente është se ata kanë qëndruar në Shtip. Sipas MPB-së, i dyshuari për këtë vrasje  ka qenë me status turistik prej 90 ditësh. 2 prej shokëve të tij, të cilët e ndihmuan për arratisje, kanë qenë me status të rregulluar si studentë, ndërsa viktima dhe 2 të tjerët nuk e kishin vazhduar qëndrimin e tyre si studentë. 25-vjeçari u vra në një kafene në sheshin e Shtipit, ku më herët e frekuentonin.
 
REXHEP QAMILI