Koalicioni "Të gjithë për gjykim të drejtë", Këshilli Gjyqësor s'respekton rekomandimet e BE-së

05.07.2025 15:56

Edhe pas rekomandimeve të Misionit Vlerësues...

Edhe pas rekomandimeve të Misionit Vlerësues dhe vërejtjeve të përsëritura nga organizatat qytetare, ekspertët juridikë, bashkësia ndërkombëtare dhe madje edhe nga Gjykata Administrative, Këshilli Gjyqësor vazhdon me praktikën e mosrespektimit të Ligjit për Gjykatat.

Kështu vlerësojnë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, nga ku shprehin shqetësim të veçantë për praktikat e Këshillit Gjyqësor në lidhje me mosrespektimin e detyrimit për të dhënë argumente dhe arsyetime të qarta për vendimet që merr.

Së fundmi, kjo u reflektua gjatë zgjedhjes së ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Kjo pozitë, sipas ligjit, duhet t’i takojë kandidatit që ka fituar notën më të lartë në vlerësimin e fundit.

Ky veprim tregon qartë mungesën e vullnetit, vetëdijes dhe kapacitetit për të zbatuar rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së.

“Për fat të keq, kjo nuk ndodhi në seancën e Këshillit Gjyqësor. Nga i gjithë diskutimi që u zhvillua mes anëtarëve, kuptuam se ka edhe 10 gjyqtarë të tjerë nga Gjykata Penale, që sipas vlerësimit të fundit, kanë më shumë pikë. Megjithatë, për fat të keq, nga ana e anëtarëve nuk u bë e ditur se kush janë këta gjyqtarë dhe sa pikë kanë marrë. Nuk u dha asnjë arsyetim përse Këshilli Gjyqësor vendosi në atë mënyrë.” – tha Lejla Tutiç, nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Sa u përket akuzave për lidhje familjare në avansimin e gjyqtarëve nga Gjykata Penale në Gjykatën e Apelit, Tutiç tha se kandidatët e zgjedhur kanë qenë ata me nivelin më të lartë të vlerësimit. Megjithatë, ajo theksoi nevojën për të shqyrtuar metodologjinë e vlerësimit të gjyqtarëve, për të shmangur keqpërdorimet.

“U zgjodhën katër kandidatët e renditur më lartë në bazë të vlerësimit të realizuar. Megjithatë, rezultatet e punës duhet të jenë parakushti bazë që do të përcaktojë nëse një gjyqtar do të mund të avancohet në karrierë. Mbetet e diskutueshme nëse metodologjitë që përdoren për vlerësimin e punës së gjyqtarëve përputhen me gjendjen reale dhe nëse ato lejojnë avancimin e gjyqtarëve jo të denjë në sistemin gjyqësor.” – u shpreh Lejla Tutiç, nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Pas kritikave të ashpra ndërkombëtare ndaj punës së Këshillit Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar së fundmi se vlerësimet e Misionit Vlerësues të BE-së janë inkorporuar në ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, i cili, sipas paralajmërimeve, së shpejti do të paraqitet para deputetëve dhe do të parashikojë edhe përgjegjësi individuale. (Florije Kamberi, TVM2)