Maqedoni

Ndërkombëtarët mbështesin Specialen: të gjithë janë të obliguar ta përkrahin PSP-në

21.10.2016 17:46

Nga delegacioni i BE-së në Shkup përkujtojnë të gjitha palët se e kanë obligim të përkrahin Prokurorinë Speciale...

BE mbështet fuqishëm PSP-në  në punën e saj dhe kërkon që t’i mundësohet të hetojë në tërësi të gjitha rastet për të cilat dyshon se mund të ketë përgjegjësi politike apo juridike për të gjitha veprimet e paligjshme.
 
“Bashkimi Europian fuqishëm i mbështet të gjitha organet që të veprojnë në suaza të këtyre detyrimeve të qarta dhe me respekt ndaj pozicionit të PSP-së. Bashkimi Europian e vlerëson rëndësinë e përgjegjësisë politike dhe juridike për përgjimet dhe përmbajtjet që dalin nga ato”,- thonë nga BE. 
 
Edhe ambasadori britanik, Charles Garret, përkujton politikanët dhe institucionet se pa hetimin dhe zbardhjen e plotë të rasteve nuk mund të ketë as zgjidhje të krizës. 
 
“Askush nuk duhet t’ia presë rrugën kësaj pune kaq të rëndësishme, sepse nëse këto akuza nuk hulumtohen në mënyrë të drejtë, nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike”,- përkujton ambasadori Garret. 
 
Edhe Ambasada amerikane vlerësoi dje se bashkëpunimi me PSP-në është hap kyç për t’i dhënë fund krizës politike.
 
BESIM ABDULLAI