Libi, sulmohet aeroporti i Tripolit
Aeroporti kryesor në Libi, ai i Tripolit, është shndërruar në sheshin e betejës së radhës mes forcave të sigurisë dhe grupeve të armatosura të milicisë vendase…...
Aeroporti kryesor në Libi, ai i Tripolit, është shndërruar në sheshin e betejës së radhës mes forcave të sigurisë dhe grupeve të armatosura të milicisë vendase.
Autoritetet u detyruan të mbyllin aeroportin një ditë më parë për shkak të luftimeve, ndërkohë që së fundmi një sulm me raketë ka shkaktuar të paktën 6 të vrarë dhe 25 të plagosur dhe ka dëmtuar 12 avionë që ndodheshin në pistë në atë moment.
Një zëdhënës i Qeverisë libiane deklaroi se Tripoli po konsideron mundësinë për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të rivendosur sigurinë në vend.
“Ne do t’i gjejmë ata që urdhërojnë sulmet ndaj civilëve përfshirë edhe sulmin ndaj aeroportit të Tripolit. Ata do të akuzohen për krim për vrasje me paramendim dhe krime kundër njerëzimit”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Ahmed Lamin.
Që prej rrëzimit të Gadafit në vitin 2011, drejtuesit e rinj libianë kanë dështuar në përpjekjet e tyre për forcimin e institucioneve të reja.
Grupet e milicisë së dalë pas revolucionit të armatosur, kanë dalë jashtë kontrollit dhe vazhdimisht janë konsideruar problematike për sigurinë. Së fundmi edhe Kombet e Bashkuara tërhoqën stafin e tyre prej vendit afrikan, duke deklaruar se ishte e pamundur që t’u garantohej siguria. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)