Kuvendi miraton propozimet për ndryshimet kushtetuese
Bashkimi Demokratik për Integrim, do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të propozuar nga Qeveria, pasi ato janë pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit………..

Bashkimi Demokratik për Integrim, do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të propozuar nga Qeveria, pasi ato janë pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit, por mbetet në qëndrimin se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime edhe në pjesën për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Republikës. Propozim-ndryshimet kushtetuese janë hedhur në debat plenar para deputetëve.
“Politicientët e çdo vendi, duhet të kenë sens politik dhe në momentin e duhur të bëjnë edhe ndryshime të tjera. Këtë e them për shkak se BDI i ka bërë një ofertë spektrit politik këtu në RM-së, që presidenti të zgjidhet në Kuvend, e jo në zgjedhjet të drejtpërdrejta”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Ndërkaq, PDSH nuk do të mbështesë propozim-ndryshimet kushtetuese. Sipas kësaj partie, ndryshimet janë propozime ekskluzivisht të VMRO-së dhe nuk përfshijnë asnjë nga kërkesat e shqiptarëve.
“Duhet të propozonit ndryshime ku do të garantohej status i barabartë i shqiptarëve me statusin e maqedonasve në çdo aspekt. Duhej të propozonit ndryshime kushtetuese ku shqiptarët nuk do të ndihen më qytetarë të dorës së dytë. Këto ndryshime do ta kthenin Kushtetutën barem në një dokument të gjallë. Kjo do ta çonte Maqedoninë më afër NATO-s dhe BE-së. Këtë ua thanë edhe ShBA-të edhe BE”- tha deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
VMRO, nga ana tjetër ka ftuar opozitën maqedonase që të kthehet në Kuvend dhe të përfshihet në shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Unë do të kisha dashur në këtë rast të ftoj ata deputetë që nuk vijnë në punë në Kuvend, ndërkaq kanë marrë mandate nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë që të pranojnë përgjegjësinë personale, se në një moment të tillë kyç, kur flasim për rregullimin kushtetues të RM-së, ata partinë e tyre dhe interesat personale i vënë si prioritete”- potencoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Qeveria ka propozuar tetë ndryshime në Kushtetutë dhe atë: ndryshimin e emrit të “Bankës Popullore”, definimin e martesës si bashkësi vetëm mes një burri dhe një gruaje, vënien e institutit “Ankesë Kushtetuese”, ndryshimin e përbërjes së Këshillit Gjyqësor, ridefinimin e kompetencave të Këshillit Gjyqësor, rregulla fiskale, krijimin e mundësisë kushtetuese për themelimin e një zone ndërkombëtare financiare dhe rregullimin e pavarësisë së Revizionit Shtetëror me Kushtetutë.
Pas miratimit të nevojës për ndryshimin e Kushtetues, propozim-ndryshimet do të hidhen në debat publik. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
