2 deputete opozitare kthehen në kuvend
Deputetet opozitare, Lubica Buralieva dhe Sollza Grçeva, janë kyçur sot edhe zyrtarisht në punën e trupave punues të Kuvendit…

Deputetet opozitare, Lubica Buralieva dhe Sollza Grçeva, janë kyçur sot edhe zyrtarisht në punën e trupave punues të Kuvendit.
Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, sot e ka konfirmuar kthimin e deputeteve në Kuvend, të cilat janë emëruar edhe si anëtare të dy Komisioneve dhe zëvendësanëtare të dy Komisioneve tjera. Kthimi i Grçevës dhe Buralievës është mirëpritur nga deputetët e shumicës.
Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, ka vlerësuar se deputetët e opozitës i duhen demokracisë dhe ndërtimit të vendit.
“Grupi parlamentar i BDI-së, do të votojë për këto dy vendime. Natyrisht që ne përkrahim kyçjen e deputetëve të opozitës në vendin që atyre u takojnë, në emër të grupit parlamentar të BDI-së dhe në emër të BDI-së u drejtohem opozitës maqedonase me apelin më të sinqertë, me kërkesën më miqësore, më kolegiale, që të kthehen në Parlament, jo vetëm për faktin që vendi i tyre është në Parlament, por edhe për atë që ata i duhen Parlamentit, ata i duhen demokracisë së vendit në ndërtimin e Maqedoni”– deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, kthimi i kolegeve opozitare në Kuvend dëshmon se edhe në opozitë ka politikan të ndërgjegjshëm.
“Me kthimin e tyre dhe participimin në punën në Kuvend dhe trupat e Kuvendit, unë mendoj se dërgohet një porosi shumë e qartë dhe shumë e pastër deri te opinioni ndërkombëtar, se edhe në radhët e opozitës ka politikan të ndërgjegjshëm, të cilët e dinë se Parlamenti duhet të jetë vendi ku duhet të zhvillohet demokracia parlamentare”- theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturovska.
Kryetari i Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, Zoran Ilioski, tha se vendet për anëtarë dhe zëvendësanëtarë të Komisioneve ende janë të lira për deputetët e opozitës, në qoftë se ata dëshirojnë të kthehen në Kuvend. (Mefail Ismaili, TVM2)
