Maqedoni
Rrustemi zgjidhet kryetar i komitetit
21.07.2014 17:33
Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike, në mbledhjen e tij të parë të kryesuar nga kreu i Kuvendit, Trajko Vlejanovski...

Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike, në mbledhjen e tij të parë të kryesuar nga kreu i Kuvendit, Trajko Vlejanovski, me 14 vota “pro” dhe 2 vota abstenim nga deputetët e PDSH-së, ka zgjedhur për kryetar deputetin e BDI-së, Ejup Rustemin dhe për zëvendës të tij Bllagoja Despotovskin, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, ka uruar që ky Komitet më tepër të diskutojë për avancimin e barabarësisë se për situata konfliktuoze.
“Uroj që Komitetin të cilin do ta drejtojë Ejup Rustemi, më shumë të debatojë për avancimin, për zgjerimin e të drejtave, për avancimin e barabarësisë në Maqedoni, se sa të debatojë për situata konfliktuoze, për incidente, për aksidente, për vërejtje dhe për tema të cilat fatkeqësisht e ngarkojnë ambientin në përgjithësi në Republikën e Maqedonisë”- deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, u shpreh pesimist rreth punës së Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike.
“Ky trup, ose ky Komitet është vetëm element dekorativ, manipulativ i Qeverisë para opinionit, sidomos para shqiptarëve. Këtu përfaqësuesit shqiptarë nuk mbrojnë interesat e komuniteteve, nuk mbrojnë interesin e komunitetit shqiptarë, por mbrojnë interesat e shumicës parlamentare, interesat qeveritare”- theksoi deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
Kryetari i sapozgjedhur, Rustemi, në fjalimin e tij, u shpreh se bashkërisht me anëtarët e tjerë do të përmbushin obligimet të cilat ua detyron Komiteti.
“Besoj se së bashku me të gjithë anëtarët e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, do të arrijmë që të realizojmë detyrat për të cilat është themeluar Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike. Besoj që të gjithë së bashku do t’ia arrijmë që të kemi debate konstruktive dhe të sjellim vendime ashtu siç duhet dhe t’ia dorëzojmë Parlamentit, i cili ka detyrë obligative që t’i shqyrtojë të gjitha mendimet e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike”- u shpreh Ejup Rustemi, kryetar i Komitetit.
Komiteti përbëhet nga 19 anëtarë, 7 shqiptarë, 7 maqedonas dhe 5 nga bashkësitë e tjera më të vogla etnike në Maqedoni. Por, tani për tani nuk janë zgjedhur të gjithë anëtarët, pasi mungojnë dy të opozitës maqedonase, të cilët nuk marrin pjesë në Kuvend, por edhe një i bashkësinë etnike vllahe, për shkak se në këtë përbërje parlamentare nuk ka asnjë përfaqësues të kësaj bashkësie etnike.
MEFAIL ISMAILI
