STRUGË

Digjen plehrat e deponisë, Struga mbullohet nga tymi

06.08.2014 12:55

Era e keqe dhe tymi i zi i dendur që ngrihen nga deponia që digjet, janë kthyer në përditshmëri për Strugën.......

Era e keqe dhe tymi i zi i dendur që ngrihen nga deponia që digjet,  janë kthyer në përditshmëri për Strugën. Era që fryn shpërndan tymin dhe aromën tmerrësisht të pakëndëshme në të gjithë qytetin. Qytetarët e revoltuar kërkojnë zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi.

“Ne nuk jemi banorë të Australisë, jetojmë këtu dhe gjithnjë këtu kështu mbushet qyteti me tym. Plehrat i djegin pa kontroll. Ky është vend turistik duhet dikush të vërë kontroll” ankohen banorët.

Ish kreu i Strugës Ramiz Merko akuzon drejtuesit aktualë të komunës për keqmenaxhim të deponisë. Por nga Ndërmarja komunale thonë se bashkë me  ekipet e zjarrfikësve janë vazhdimisht në terren por ata kërkojnë ndihmë nga pushteti qëndror për dislokimin e deponisë që gjendet shumë pranë qytetit. Drejtuesit e kësaj ndërmarjeje thonë se vazhdimisht janë në gadishmëri për të fikur zjarret që ndizen në deponi por nuk mund të bëjnë asgjë më shumë . Deri tani nuk kanë arritur asnjëherë të kapin qytetarët e pandërgjegjshëm që i vënë flakën deponisë.

Shoqatat ekologjike thonë se kjo problematikë që   zgjat vite me radhë,   tashmë është kthyer në shqetësim dhe në një bombë të vërtetë ekologjike.

“Me vite të tëra ndodhin të njejtat probleme. Ne ka vite që reagojmë por kompetentët nuk kanë veshë për të na dëgjuar” thotë Mate Gogovski- nga shoqata ekologjike “Enhalon”.

Pa marrë parasysh cili është fajtori në këtë rast, problem duhet zgjidhur. Por deri në zgjidhjen përfundimtare të tij struganët dhe turistët do të vazhdojnë të thithin ajrin e ndotur që vjen nga diegia pa kontroll e plehrave të deponisë. (Rina Turkeshi Saiti, TVM2)