Maqedoni

Reagim ndaj brohoritjeve nacionaliste të ushtarëve grek

10.08.2014 17:57

Qeveria ka dënuar ashpër fjalorin e dhunës dhe thirrjet raciste të komandove greke, të publikuara ditë më parë, në Youtube...

Qeveria ka dënuar ashpër fjalorin e dhunës dhe thirrjet raciste të komandove greke, të publikuara ditë më parë, në Youtube.  
 
Në një deklaratë me shkrim, Qeveria i cilësoi thirrjet dhe kërcënimet si “pjesë e së kaluarës” dhe vlerësoi se këto veprime nxisin urrejtjen ndërshtetërore.
 
“Shqetëson fakti se të tilla dukuri të pahijshme dhe të pacivilizuara përsëriten prej vitesh në Republikën e Greqisë, ndërsa opinioni nuk kujton të jenë distancuar ndonjëherë ose të kërkonin falje autoritetet e atjeshme. Me siguri nuk u pengon kur maqedonasit, shqiptarët ose turqit u lënë atyre të hollat si turistë, ndërsa jashtë kësaj gjëje këndojnë duke thënë se ‘do t’ua thithim gjakun”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
 
Në deklaratë, Qeveria bën me dije se ka ndërmarrë të gjithë hapat diplomatikë për të dënuar këtë dhe ngjarje të tjerat të ngjashme në Greqi, të cilat nuk kontribuojnë për fqinjësi të mire.
 
Vec kësaj, Shkupi zyrtar i kërkon edhe Bashkimit Evropian të mos heshtë në lidhje me ngjarjen dhe madje i bën vërejtje se reagon tej mase për zhvillimet në vendin tonë por “hesht kur bëhet fjalë për fjalorë dhe shfaqje të tilla në Greqi”.
 
“Për të mirën e idesë evropiane dhe të vlerave që ajo promovon, është e domosdoshme që këto praktika dhe forma brutale të nacionalizmit radikal në strukturat shtetërore, të marrin dënimet më të ashpra”, përfundon deklarata e Qeverisë.
 
Në videon e publikuar në Youtube shfaqen komandot greke duke bërë thirrje për “thithjen e gjakut të shqiptarëve, maqedonasve dhe turqve”.
 
SHPËTIM NUREDINI