Reka e epërme, pret rekasit e shpërngulur
Është hera e parë që në krahinën e Rekës në Maqedoni, organizohen “Takimet e Rekës”, të cilat përfshijnë një program festimesh që kulmuan dje me manifestimin qendror në fshatin Rimnicë, i cili ndodhet thellë në luginën e degës së Radikës.....

Programi ka filluar qysh në ditët e para të gushtit, me marshimin nëpër bjeshkët malore të fshatrave të Rekës, vazhdoi me vizitën në shtëpinë muze të “Kongresit të Manastirit” dhe kulmoi në Rimnicë me programin artistik, gatimet dhe veshjet tradicionale të zonës.
Iniciatori i “takimeve”, “Ismail Murati”, kur paraqiti projektin e tij para mërgatës së rekanëve në Evropë, nuk e mendoi se do të kishte një pjesëmarrje kaq të madhe që në takimin e parë të rekanëve, të cilët vërshuan nga diaspora, por edhe nga Maqedonia drejt fshatrave gati të braktisura të origjinës së tyre.
“Unë, me këtë projekt kam nisur prej kohësh, e kam në zemër, e kam pas në shpirt dhe më ka...Çdoherë më ka munguar diçka në këtë regjion tonin të Rekës së epërme, ne kurrë, kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njerëz”- deklaroi iniciatori, Ismail Murati.
Festa në Rimnicë, filloi me zbulimin e pllakatit përkujtimor të Faik Vildan Dibrës, ish-përfaqësues në “Kongresin e Manastirit” dhe vazhdoi me një program artistik, ku u kënduan këngë nga folklori i Rekës dhe më gjerë, ndërsa vajzat e reja dhe gratë kishin veshur kostumet kombëtare të Rekës.
“Jam me prejardhje prej kësaj treve, gjithmonë jam interesuar për folklorin. Kjo trevë është e pasur me shumë folklor, po ashtu ka edhe veshje shumë të bukura, të cilat mund të themi se 60 për qind punohen nga vetë vajzat dhe gratë”- potencoi mbledhësja e folklorit, Zejna Halimi.
Festa u bë shumë interesante kur filluan gatimet tradicionale të krahinës, por jo vetëm amviset me origjinë nga Reka, të ardhura nga Gostivari dhe zonat përreth sollën gatesat dhe byrekët karakteristikë të Rekës.
“Kjo këtu është ndria, ndria bëhet me gjizë, bëhet edhe me një lloj lakre që i thonë kiselika”- tha ish-banori i Rekës, Anton Popovski.
“Këtë e kemi rrethatore, por në gjuhën tone të Rekës së epërme i themi rethinka”- theksoi ish-banori i Rekës, Sulejman Jashari.
Fshatarët e Rekës, filluan të braktisen në mënyrë masive pas Luftës së Dytë Botërore dhe prej 28 fshatrave, tani kanë mbetur vetëm 18-të fshatra, ku pothuajse nuk banon asnjeri.
“Kurbeti është vetëm mjerim. Unë si të gjithë rekasit e tjerë, ndihem krenarë që jam në këtë manifestim”, potencoi ish-banori i Rekës, Dilaver Bajrami.
Fshati Rimnicë ku u zhvilluan “Takimet e Rekës”, nuk ekziston më, sepse është mbuluar krejtësisht nga pylli i dendur. (Merita Çoçoli, TVM2)
