Maqedoni

13 vjet nga masakra në Luboten

12.08.2014 17:33

U mbushën 13 vjet nga masakra në fshatin Luboten të Shkupit. Një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, policia sulmoi fshatin...

U mbushën 13 vjet nga masakra në fshatin Luboten të Shkupit. Një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, policia  sulmoi  fshatin. Familjarët, ende e kanë të freskët vitin 2001. Tmerri ende nuk është harruar, por ata janë krenarë që janë pjesë e familjeve që i kontribuuan lirisë dhe barazisë së të gjithë shqiptarëve. 
 
“Para 13 viteve, djali im Erxhani, duke ardhur prej xhaxhait të vetë, policia, së bashku me ushtrinë maqedonase, e granatuan djalin tim dhe  në atë vend ka ndërruar jetë, por ne jemi krenarë që në ato ditë, në ato momente është nënshkruar edhe Marrëveshja e Ohrit, sepse ne kemi qenë plotësisht të rrethuar prej policisë dhe ushtrisë, ndërsa unë, të dielën në mbrëmje jam arrestuar nga policia dhe jam burgosur 4 muaj”- deklaroi babai i Erxhan Aliut, Hisni Aliu.
 
“Kur më vrau policia babanë,  i kam pasur 1 vjeç. Unë i kam 4 motra dhe ne si familjarë të dëshmorit, Rami Jusufi, jemi krenarë që me gjakun e dëshmorëve, është shpallur liria në Republikën e Maqedonisë”- theksoi djali i dëshmorit  Rami Jusufi, Emran Jusufi.
 
“Më 13 gusht, u nënshkrua një histori e re për shqiptarët e Maqedonisë,  UÇK e detyroi diktatorin vendorë dhe atë ndërkombëtarë, që të ulen dhe të nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit, ku shqiptarët u bënë shtet-formues dhe zot të këtij vendi”- tha kryetari i Bashkësisë Lokale në Luboten, Naim Saliu.
 
Sot, banorët e Lubotenit dhe miq të shumtë, përkujtuan masakrën. Gjaku i dëshmorëve në vitin 2001, krijoi historinë e re dhe i ktheu shqiptarët në popull shtet-formues. 
 
Kreu i SHVL–UÇK-së, Fazli Veliu, në këtë përvjetor thotë se është koha që shqiptarët të gjejnë rrugën e tyre drejt Evropës, e të mos bëhen pjesë e skenarëve të të tjerëve, që edhe pas 13 viteve nuk po e kuptojnë realitetin në Maqedoni. 
 
“Ne, tu themi publikisht të gjitha institucioneve këtu, të cilat janë të përbashkëta, ose do të ketë drejtësi për të gjithë, ose nuk do të ketë për asnjë, ose do të ketë barazi për të gjithë, ose s’do të ketë për asnjë, ose do të ketë mbrojtje për të gjithë, ose s’do të ketë për asnjë, ose do të ketë vizion të qartë për të gjithë drejt Evropës, NATO-s, SHBA-së dhe botës së civilizuar, ose ata të cilët stagnojnë në këtë drejtim dhe mendojnë herë në rilindje, herë në veri të kenë ndonjë shpëtim, do të jenë gjithmonë të stagnuar në vend, ndërsa ne si faktorë shqiptarë, së bashku këtu kemi të drejtën morale, të drejtën juridike dhe të drejtën e gjakut të derdhur   për liri dhe bashkim, të vetjetojmë dhe të vetekzistojmë dhe vetndërtojmë  dhe të bashkohemi me këdo që  na pranon  për bashkim  dhe në radhë të parë kuptohet kombi ynë shqiptarë,  i cili  ka qenë, është dhe do të jetë  me një flamur, me një histori, me një gjuhë dhe me një vizion shumë të qartë drejt njerëzimit, përparimit, botës, diellit dhe Zotit”- u shpreh kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
 
Masakra e Lubotenit, është i vetmi rast i cili u procesua nga Gjykata e Hagës. Por, vetëm Johan Tarçullovski u dënua me 12 vite burg dhe u lirua pas 8 vitesh.
 
Ai u prit si hero në sheshin e Shkupit. I akuzuari i parë, ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski, u lirua nga akuza në mungesë të provave.
 
REXHEP QAMILI