13 vjet, Marrëveshja kornizë e Ohrit
Maqedonia, sot shënon 13 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, dokumenti historik që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni......

Dokumenti u finalizua më 10 gusht në Ohër, por zyrtarisht u nënshkrua më 13 gusht 2001, nga presidenti i atëhershëm i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski dhe kryetarët e atëhershëm të partive politike, Lupço Georgievski nga VMRO-DPMNE, Branko Crvenkovski nga LSDM, Imer Imeri nga PPD dhe Arben Xhaferi nga PDSH.
Marrëveshja e Ohrit është një dokument i garantuar ndërkombëtarisht, që parashikon kornizën e harmonizuar për sigurimin e ardhmërisë, demokracisë në Maqedoni dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkësisë Euroatlantike.
MO, atëbotë u nënshkrua në praninë e lehtësuesve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. Kjo marrëveshje kornizë, promovoi zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, 13 vjetorin e nënshkrimit të këtij dokumenti, sot e shënon me një tribunë shkencore, ku të pranishëm janë personalitete të ndryshme nga jeta politike, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
