TEMPERATURAT E LARTA

Temperatura 40 gradë, Maqedonia në fazën alerte

13.08.2014 14:20

Prej ditës së sotme, Maqedonia është përfshirë në fazën e verdhë, e cila nënkupton temperatura deri më 40 gradë celsius......

Më të prekur nga vala e nxehtit këto ditë do të jenë rajonet Ohër-Prespë, Strugë, Resnjë, Dibër, Tetovë, Gostivar, Mavrovë dhe Makedonski Brod. Sinoptikanët për TVM-2, thonë se kjo fazë është normale për këtë periudhë të vitit dhe është kategoria e parë e rrezikut  nga dielli.                

“Edhe gjatë ditës së enjte, të premten dhe të shtunën do të  jemi në  fazën e verdhë, që do të thotë se jemi vetëm një nivel më lart nga niveli i gjelbër, e që nuk kemi rrezik nga dielli. Sipas parashikimeve tona, 39 gradë celsius do të kemi në pjesët juglindore të vendit, ndërsa edhe në Shkup do të jetë deri më 39 gradë celsius”- deklaroi sinoptikani, Boris Sekirarski.

Ministria e Shëndetësisë, i këshillon qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen nga temperaturat e larta. Në këtë periudhë, qytetarët nuk duhet të ekspozohen në diell gjatë periudhës prej 11 deri në ora 17, ndërsa  të gjithë pacientët me sëmundje kardiovaskulare, të marrin terapinë e  nevojshme.    

Vendi ynë pritet të ketë kohë të ngjashme deri në fund të kësaj jave. Sipas paralajmërimeve të sinoptikanëve, në 4 ditët në vijmë temperaturat do të lëvizin prej 32 deri më 40 gradë celsius. Ulje të vogël të temperaturave sinoptikanët paralajmërojnë vetëm për ditën e diel, por megjithatë është e këshillueshme të mbani me vete edhe një shishe me ujë.   

Edhe pse temperaturat e sotme ishin përvëluese, shumica e të anketuarve nga  TVM-2 vazhdonin me kryerjen e punëve të përditshme.      

“Gjatë orëve kur është shumë nxehtë nuk dalim fort, por ndonjëherë kemi nevojë për me dal”- u shpreh një qytetarë.

“Patëm punë dhe kur ke punë duhet patjetër me dal, s’kemi çfarë të bëjmë. Këto ditë të nxehta, prej orës 11 apo 12 deri në orën 17 duhet të qëndrojmë në shtëpi, duke konsumuar më shumë lëngje, ujë dhe duke ngrënë gjëra të lehta”- tha një qytetarë.

“Se kemi shumë problem, më shumë përdorim lëngje, ujë dhe pije të pagazuara”- theksoi një qytetare.

Në disa pjesë të Maqedonisë, janë vendosur edhe punkte këshilluese shëndetësore, ku qytetarët do të mund të këshillohen për mbrojtjen nga temperaturat e larta.

Sinoptikanët parashikojnë temperatura të larta edhe gjatë javës së ardhshme. (Rexhep Qamili, TVM2)