Maqedoni
Diplomatët: 13 vite pas MO-së, ende ka ndasi etnike
13.08.2014 15:06
Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ambasadori amerikan në Maqedoni, Poll Volers...

Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ambasadori amerikan në Maqedoni, Poll Volers, konsideron se ende ekzistojnë ndasi mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ambasadori Poll Volers, në tribunën e sotme shkencore që u mbajt me rastin e shënimit të 13 vjetorit të nënshkrimit të këtij dokumenti, i cili ka edhe garanci ndërkombëtare, ka ftuar të gjithë aktorët e involvuar politik të jenë më të përkushtuar në tejkalimin e këtyre ndasive.
“Edhe pas këtyre viteve ekzistojnë këto ndasi, ndërsa ftoj partitë politike të punojnë në tejkalimin e këtyre dallimeve”- tha ambasadori i SHBA-ve, Poll Volers.
Ndërsa për ambasadorin e OSBE-së, Ralf Bret, Marrëveshja e Ohrit paraqet një kthesë që simbolizon fillimin e procesit të rëndësishëm të integrimit të shoqërisë, si dhe ndërtimit të një Shteti multietnik, modern dhe evropian.
Sipas Bret, Marrëveshja e Ohrit e dëshmoi përkushtimin e vlerave elementare evropiane, vetëdijen, dialogun dhe inkuadrimin karshi konfliktit, përleshjeve etnike dhe ndarjes, andaj ai vazhdon t’i ftojë të gjitha palët e involvuara që të mbajnë dinamikën e këtij procesi të rëndësishëm.
“Është i nevojshëm angazhim i të gjitha palëve të involvuara, për tu mbajtur dinamika e këtij procesi të rëndësishëm. Misioni i OSBE-së në Shkup, vazhdon të inkurajojë Qeverinë për një përkushtim më të madh në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në atë që është shkruar në letër, por dhe në vetë frymën e Marrëveshjes”- deklaroi ambasadori i OSBE-së, Ralf Bret.
Ambasadori Bret, e konsideron si tejet të rëndësishëm arsimimin në përgatitjen e gjeneratave të reja, për një shoqëri të integruar, me një shoqëri me të ardhme multietnike.
“Përgatitja e gjeneratave të reja për një të ardhme të integruar dhe multietnike, është çështje mjaft e rëndësishme. Të mësuarit dhe zbatimi në praktikë i llojllojshmërisë në një respektim të ndërsjellë përmes sistemit arsimor, i cili mes tjerash parashikon edhe përshtatjen e shoqërisë, është më se e qartë se ekziston në vetë frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe kjo do t’i çimenton të arriturat pozitive në ndërkohë dhe në të njëjtën kohë do t’i mbajë pas gardhit të kaluarat, duke pasur për bazë integrimin e ardhmërisë evropiane”- theksoi më pas ambasadori, Ralf Bret.
Misioni i OSBE-së në Shkup, pret një ringjallje të dinamikës dhe hapa më të guximshëm drejt kësaj lëmie, e cila meriton më shumë kujdes. OSBE, është e gatshme që t’i përkrahë institucionet e vendit në drejtim të implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
MERITA GASHI
