Maqedoni
Filloi regjistrimi në Universitetet Publike
14.08.2014 15:14
Me dokumente në duar, të drejtuar nga Universiteti, të ulur në karrige duke mbushur formularët...

Me dokumente në duar, të drejtuar nga Universiteti, të ulur në karrige duke mbushur formularët, si dhe duke pritur radhë para sporteleve për të dërguar dokumentet e nevojshme, këto janë pamjet që fokusoi kamera jonë në ditën e parë të regjistrimit të studentëve në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.
Të entuziazmuar se tani do të kenë epitetin student, mes shumë drejtimesh kanë përzgjedhur atë që u flenë më shumë në zemër, me shpresë se do të pranohen.
“Për Albanologji, drejtimi shqip, shpresoj se do të regjistrohem. E përzgjodha këtë drejtim sepse e doja më shumë gjuhën shqipe nga lëndët dhe vendosa që shqipen ta marr”- u shpreh një vajzë.
“Edhe unë jam për Albanologji, e kam dashur shumë dhe shpresoj të pranohem”- tha një vajzë tjetër.
“Unë do të regjistrohem në Fakultetin e Psikologjisë, më pëlqen si drejtim, çdoherë më ka pëlqyer, shpresoj që të më pranojnë”- theksoi një student.
Interesimi i madh për tu regjistruar në Fakultetin Filologjik, vërehej edhe këtë vit.
“Është dita e parë e konkurrimit të studentëve në Fakultetin e Filologjisë dhe si çdo vit edhe sivjet interesimi i studentëve është shumë i madh. Tri katër vitet e fundit, studentët së pari aplikojnë nëpërmjet një sistemi të quajtur AK-sistem dhe më pas dorëzojnë dokumentet edhe në origjinal, kuptohet në Fakultetet përkatëse dhe më 19 do të shpallen listat preliminare të pranimit të kandidatëve, ndërsa 2 ditë më vonë, lista përfundimtare e zgjedhjes së tyre”- deklaroi anëtari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Studentëve, profesor doktor Asllan Hamiti.
Afati i dytë i regjistrimit në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, do të jetë më 3 shtatorë, ndërkohë i treti më 16 shtatorë.
Ndërkohë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, paraqitja në afatin e parë për regjistrim do të realizohet javën e ardhshme, prej 19 deri më 22 gusht. Në pesë Universitetet Shtetërore në vend, të lira janë gjithsej 24.121 vende për studentët e ardhshëm.
Studentët, të cilët do të regjistrohen me kuotë shtetërore, do të paguajnë nga 200 euro apo 100 euro në studimet e disperzuara, ndërsa ato me bashkëfinancim dhe çmimi për studentët me korrespondencë është 400 euro.
RINA TURKESHI-SAITI
