Xhaferi: Së shpejti sistematizimi i 1200 të punësuarve
Rreth 1200 të punësuar përmes Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që ende nuk ia kanë filluar punës, do të sistematizohen nëpër vendet e tyre të punës deri në mars të vitit 2015.....

Zëvendëskryeministri për zbatimin e MO-së, Musa Xhaferi, në një intervistë për “Inbox7”, thotë se Qeveria ka vendosur që sistematizimi duhet të ndodhë sa më shpejtë, ose të paktën të punësuarit të fillojnë të ndjekin ndonjë trajnim. Sipas tij, ngecja në shpërndarjen e të punësuarve, të cilët marrin rroga pa prekur punë me dorë, është e dëmshme për Shtetin, madje edhe antiligjore.
“Bëhet fjalë për mungesë kapacitetesh dhe mosgatishmëri të institucioneve që t’i pranojnë në kohë këta njerëz. Për fat të keq, kemi edhe ngecje të tillë. Kemi një numër të tillë, i cili nuk mund të shpërndahet aq shpejtë pas pranimit përmes shpalljeve. Ne në Qeveri kemi qëndrim se është koha e fundit kur këta njerëz duhet të shpërndahen, ose të bëhet ndonjë trajnim, përmes së cilit do të testohen aftësitë e tyre. Dikujt ndoshta nuk do t’i pëlqejë vendi i punës dhe do të tërhiqet vetë. Por, aq kohë të mos sistematizohen këta njerëz, nuk është mirë për Shtetin”- deklaroi zëvendëskryeministri për zbatimin e MO-së, Musa Xhaferi.
Mirëpo nuk janë problem vetëm ata që nuk janë shpërndarë, Xhaferi thotë se ka edhe shumë të punësuar, të cilët janë shpërndarë nëpër institucione të tjera, por që ende marrin paga përmes Sekretariatit.
“Kemi kuadro të shpërndarë, të cilët ende qëndrojnë në buxhet. Marrin paga përmes Sekretariatit, mirëpo janë të shpërndarë nëpër institucione të tjera. Ne, tani shpresojmë që me hartimin e buxhetit të ri, t’i rishpërndajmë. Atëherë do të kemi pasqyrë më të pastër se sa kanë mbetur në Sekretariat. Mendoj se mund t’i sistematizojmë deri në shkurt ose mars, vitin e ardhshëm. Do ta shfrytëzojmë mundësinë që me buxhetin e ri t’i shpërndajmë edhe institucionalisht”- theksoi zëvendëskryeministri Xhaferi.
Sipas Xhaferit, MO zbatohet më mirë në ato institucione me të cilat menaxhojnë kuadro shqiptarë. Ai shpreh keqardhje që po krijohet perceptimi se shqiptarët janë ata që investojnë në zbatimin e MO-së, pasi kanë interes të drejtpërdrejtë nga votuesit dhe ana tjetër e cila është kundër, pasi po ta realizojë si prioritet, do të humb nga trupi votues. Sipas tij, kjo është politikë ditore, e cila në demokraci është e pranueshme. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
