KOMUNA E STUDENIÇANIT

Protesta në Batincë të Studeniçanit

15.08.2014 18:17

Banorët e fshatit Batincë në komunën e Studeniçanit, protestuan sot për të kërkuar zgjidhjen e problemeve të tyre......

Ata ankohen për investime të përgjysmuara në rrugët e fshatit, madje edhe gjysma e fshatit ka mungesë të ujit për pije.

Banorët thonë se kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Studeniçanit, Qyteti i Shkupit, Ndërmarrja e Kanalizimit dhe Ujësjellësit, por nuk ka pasur rezultat.

“Mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e kanalizimit dhe rruga e paasfaltuar. Vetëm një pjesë e fshatit është e asfaltuar. Kështu krijohet një kufi artificial, që e ndan fshatin në dy pjesë, duke shkaktuar trazira”- deklaroi organizatori i protestave, Adnan Imeri.

Por, kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiki, shprehet  i habitur me protestat e banorëve për rrugën. Sipas tij, për një vit në këtë fshat ka pasur investime të shumta, të cilat po vazhdojnë edhe sot.

“Për këtë 1 vit sa jam në Komunë, kam bërë asfaltim të rrugëve në Batincë sa nuk janë bërë 70 vjet atje. Ne kemi bërë afro 2.8 km rrugë, me gjerësi 6 metra, asnjë vendbanim shqiptarë në Maqedoni nuk ka rrugë të tillë.  Sot po bëhet asfaltimi i rrugës së poshtme në të njëjtin fshat. Në të njëjtin vendbanim, në rrugën rajonale është bërë edhe shtegu për këmbësorë 2.2 km dhe ndriçimi publik"- theksoi kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.

Gjithsesi, duket se mungesa e rrugëve apo ujit është preokupimi më i vogël për banorët.  Depoja aty pranë, nga e cila çdo ditë përhapen kimikale helmuese, po na helmon çdo ditë, njësoj si të na shpërthejnë bomba atomike afër, thonë ata. 

“Aty bëhet djegia e kemikateve të mbeturinave të Ambulancave e Spitaleve, që digjen këtu në një shporet të thjeshtë. Kjo procedurë kërkon një ndërtesë të veçantë dhe mjete që do të filtronin ajrin, që të mos dëmtohet popullata”- potencoi një banorë i Batincës.

Nëse autoritetet nuk u japin zgjidhje problemeve të tyre, banorët paralajmërojnë bllokimin e rrugës që çon në depon “Drislla”. (Ardita Imeri, TVM2)