OER: bisedohet për emrin, jo për gjuhën dhe identitetin
Ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer, kërkon përparim lidhur me kontestin mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit...

Në një intervistë për portalin “Faktor”, Oer potencon se përveç emrit, nuk do të ketë bisedime tjera për çështje identiteti apo historie: “Po them atë që edhe mediatori Nimic përsëriti gjatë vizitës së tij, nuk do të hapen bisedime për çështjen e identitetit, gjuhës ose të historisë, por bëhet fjalë për përpjekjen që të gjendet një kompromis në kuadrin e përcaktuar mirë. Vetëm po ju kujtoj se ne me dekada zhvilluam bisedime të komplikuara për kornizën e bashkëpunimit francezo-gjerman. Në vitin 2002, u përpilua teksti i përbashkët shkollor për historinë francezo-gjermane, pas negociatave dhjetëvjeçare në kuadër të komisioneve të përbërë nga historianë. Duhet të bëhet dallimi midis asaj se çfarë është politikë e brendshme dhe asaj që mund të diskutohet në korniza të tjera, e që është me interes më të madh për shtetin”- ka thënë ambasadorja Oer.
Sipas saj, procesi i zgjerimit të BE-së nuk është i mbyllur dhe Franca fuqishëm angazhohet për të mbështetur integrimin e Maqedonisë.
