LIQENI I GLLAZHNJËS

Nxirret nga liqeni i Gllazhnjës trupi i 18 veçarit

18.08.2014 13:55

Sot rreth orës 12:30, në ujërat e liqenit të Gllazhnjës në Dumanoc të Likovës, është gjetur trupi i pajetë i Jetmir Osmanit nga fshati Luboten i Shkupit.....

Trupin e Jetmirit e ka gjetur ekipi tre-anëtarësh i polumbarëve nga Republika e Kosovës. Trupi është gjetur në largësi prej 5 metrash nga vendi i kobshëm, ku të shtunën humbi jetën Jetmiri.

Të përkujtojmë se Jetmir Osmani, të shtunën rreth orës 14.00 u mbyt në ujërat e Liqenit të Gllazhnjës. Ai kishte qenë për drunj në mal dhe derisa po ktheheshin me dhëndrin e tij me kamion, në afërsi të liqenit ka zbritur nga kamioni dhe është nisur në drejtim të liqenit.

E gjithë kjo ka ndodhur brenda disa sekondave. Kanë intervenuar edhe disa peshkatar që kanë qenë aty afër, por përpjekjet e tyre kanë qenë të kota. Ndryshe, gjatë dy ditëve të kaluara, trupin e pajetë e kanë kërkuar edhe polumbarët nga Njësiti për Detyra të Posaçme pranë MPB-së, por kërkimi ka rezultuar pa sukses.

Në vendin e ngjarjes kanë ardhur organet kompetente për të hetuar rastin. (Nexhat Aqifi, TVM2)