Axhiev: Maqedonia ka rreth 700 spiunë të ish-regjimit

18.08.2014 15:31

Megjithëse për gjashtë vite Komisioni për Verifikimin e Fakteve ka shpallur vetëm 138 bashkëpunëtorë të shërbimeve, kreu i këtij trupi, Tome Axhiev, thotë se në Maqedoni kanë operuar rreth 700 bashkëpunëtorë.....

Ai është optimist se deri në fund të mandatit, Komisionit për Verifikimin e Fakteve do të arrijë të shqyrtojë rreth 15 000 dosje të mbetura dhe do përmbyllë me sukses procesin e lustrimit, ku pretendohet të zbulohen edhe 400 deri në 600 bashkëpunëtorë të tjerë.

“Vlerësoj se numri i bashkëpunëtorëve në Maqedoni lëviz nga 500 deri në 700. Përvoja jonë e deritanishme, por edhe e shteteve të Evropës Lindore, të cilët bëjnë lustrimin, tregon se ka proporcion mes numrit të dosjeve dhe numrit të bashkëpunëtorëve, përkatësisht numri i bashkëpunëtorëve është rreth dy për qind nga numri i dosjeve”- thotë Axhiev për të përditshmen maqedonase “Dnevnik”.

Sipas parashikimeve të tij, ky numër i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete, të cilët kanë spiunuar në baza politike dhe ideologjike, do të dalë nga lustrimi i dosjeve të periudhës nga 1945 e këndej.

“Disa persona, të cilët i kemi konsideruar si të rëndësishëm, do të kenë një qasje ndryshe, ndoshta edhe negative për kontekstin historik, kurse persona të tjerë do të fitojnë vendin e merituar në luftën për Maqedoninë e Pavarur”, tha Axhiev.

Ai shpreh optimizëm se gjatë këtij mandati, Komisioni do t’ia dalë të marrë në dorëzim edhe dosjet nga arkivat e Beogradit, ndërkaq ka shprehur keqardhje që përveç gazetarëve të Servisit Publik, të cilët janë lustruar konform Ligjit për Lustrim dhe gazetarëve të një gazete, asnjë medium tjetër privat nuk ka kërkuar me vetiniciativë lustrimin e gazetarëve dhe redaktorëve.

Komisioni për Verifikimin e Fakteve, u zgjodh nga Kuvendi Republikan para një muaji. Në përbërjen e re, janë pesë anëtarë nga mandati i kaluar dhe asnjë nga numri i përgjithshëm i anëtarëve nuk ka mbështetjen e opozitës maqedonase.

Mirëpo kjo situatë shihet si rrethanë lehtësuese nga vetë kreu i Komisionit, pasi sipas tij, në mandatin e kaluar, anëtarët e mbështetur nga opozita, kanë bërë obstruksione dhe kanë punuar në dëm të Komisionit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)