Maqedoni
Zjarrfikësit në Tetovë, kundërshtojnë uljen e pagave
18.08.2014 16:59
Zjarrfikësit nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, gjatë ditës së sotme kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për uljen e rrogave...

Nga Këshilli Koordinues i Punëtorëve, thonë se atyre u janë ulur rrogat diku rreth pesë mijë denarë dhe për këtë ata gjatë ditës së sotme kanë kërkuar takim me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifin, e cila siç thonë nga Komuna, për shkak të agjendës së ngjeshur nuk ka mundur të takohet me ta.
“Këtu bëhet fjalë për pakënaqësi të zjarrfikësve dhe mendojmë se me takimin me kryetaren e Komunës, e kemi informuar dhe e presim që ajo të na japë një sinjal, që ne të takohemi me atë dhe pas takimit me të, ju do t’i merrni informatat. Pakënaqësia më e madhe është për rrëzimin e rrogave, që është bërë në bazë jashtëligjore dhe na është bërë për rreth diku katër mijë deri në pesë mijë denarë”- deklaroi përfaqësuesi i Këshillit Koordinues të Punëtorëve, Shefajet Emini.
Ndaj protestës së zjarrfikësve ka reaguar Komuna e Tetovës përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se vendimi për uljen e pagesave të Administratës Komunale, ka bazë ligjore.
“Në lidhje me shprehjen e pakënaqësisë së sotme të Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit, dëshirojmë të njoftojmë opinionin që vendimi për të harmonizuar pagesat e punonjësve të Administratës së Komunës është sjellë në mënyrë ligjore dhe është i bazuar në raportin e Entit Shtetëror për revizion të vitit 2009, 2011 dhe 2014. Natyrisht që ne respektojmë të punësuarit tanë dhe jemi duke biseduar me ta për kërkesat që i kanë parashtruar, mirëpo dëshirojmë të ritheksojmë edhe një herë që udhëheqja e re e Komunës së Tetovës, ka trashëguar borxh në vlerë prej 8 milion euro ose 492 milion denarë, shumë kjo që paraqet 30% e buxhetit vjetor të Komunës. Po ashtu, ne kemi trashëguar edhe një fenomen mbi punësimin në Administratën e Komunës, gjë që ka rënduar dukshëm funksionimin normal të institucionit dhe dhënien e shërbimeve që ajo ua ofron qytetarëve”- thuhet në komunikatën e Komunës së Tetovës.
Nga Këshilli Koordinues i Zjarrfikësve, paralajmërojnë se nëse nuk u jepet rroga ashtu siç e kanë marrë më parë, të gjithë zjarrfikësit do të hyjnë në grevë.
MIFTAR EMINI
