Maqedoni
Filloi regjistrimi i studentëve në USHT
19.08.2014 16:16
Në të gjitha fakultetet dhe programet studimore të USHT-së, ka filluar afati i parë i regjistrimit për studentët e rinj për studimet deridiplomike...

Me këtë rast, prorektori për Arsim i USHT-së, prof. dr. Fehari Ramadani, bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë proces dhe se këtë vit do të regjistrohen gjithsej 5310 studentë të rinj.
"Universiteti ynë, në vitin e ardhshëm akademik do të regjistrojë gjithsej 5310 studentë, prej tyre, të rregullt me kuotë shtetërore 2690, të rregullt me vetëfinancim 2225 dhe me korrespondencë 395 studentë. Gjatë afatit të parë të regjistrimit, mund të aplikojnë edhe kandidatët që janë të interesuar t’i vijojnë studimet e tyre në kuadër të Projektit 30/35"- deklaroi prorektori për Arsim i USHT-së, prof.dr. Fehari Ramadani.
Po ashtu ai bëri të ditur se studentë të rinj do të regjistrohen edhe në fakultetet në Gostivar dhe Kumanovë, si dhe në studimet e disperzuara në Shkup, Kërçovë dhe Kumanovë, ndërsa në qytetin e Dibrës dhe Strugës, programet e disperzuara këtë vit akademik do të pauzojnë konform politikës regjistruese që ka USHT-ja dhe strategjisë afatgjate të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për programet studimore të disperzuara.
Kandidatët që kishin ardhur për tu regjistruar sot, theksuan se kanë zgjedhur USHT-në për tu regjistruar, pasi vlerësojnë lartë kushtet që ofron ky Universitet.
“Kam ardhur këtu për tu regjistruar në Fakultetin Ekonomik, më pëlqen si drejtim dhe dëshiroj që studimet t’i kryej në USHT”- u shpreh një student.
“Dua të regjistroj Administratë-biznesi, shpresoj të pranohem dhe t’ia dal me sukses në studime”- tha një student.
Në fakultetet ku edhe pas përfundimit të afatit të parë të regjistrimit do të mbeten vende të paplotësuara, do të ketë edhe konkurs plotësues.
MIFTAR EMINI
