Maqedoni
“Shkolla e liderëve të rinj” në Ohër
19.08.2014 17:02
Nën patronazhin e presidentit, Gjorge Ivanov, për të pestën herë me radhë, në Ohër filloi “Shkolla e Liderëve të Rinj”...

Në hapjen oficiale të “Shkollës së Liderëve”, presidenti Ivanov theksoi se tema kryesore është zhvillimi i shkathtësive te të rinjtë në procesin e vendimmarrjes në çdo sferë të jetës së përditshme.
“Qëllimi i shkollës është të krijojë njerëz të cilët do të arrijnë kriteret më të larta, të cilët do të jenë më të mirët ne fushën e tyre. Pasi që nuk na duhen vetëm liderë në politikë, na duhen njerëz të cilët dinë të udhëheqin edhe në biznes edhe në arsim edhe në sport e kulturë, në çdo sferë të jetës së përditshme. Na duhen njerëz të cilët do të dinë të marrin vendime me vetëbesim”- deklaroi presidenti i Shtetit, Gjorge Ivanov.
Në Ballkan ka mungesë liderësh, vlerësoi ish-presidenti serb, Boris Tadiq. Sipas tij, Ballkanit i duhen njerëz që do të marrin përgjegjësi dhe të kryesojnë shtetet drejt prosperitetit.
“Çfarë u bë me perspektivën evropiane të rajonit tonë? Çfarë u bë me lodhjen nga zgjerimi? Çfarë u bë me Evropën dhe lidershipin në Evropë? Sot duhet ta shtrojmë pyetjen se si mund t’i zgjidhim problemet tona në Maqedoni, Serbi, Shqipëri, të gjitha vendet që ende nuk janë anëtarësuar në BE. Pa një lidership të fuqishëm, përkushtim, vizion, energji dhe pa durim nuk mund t’i zgjidhim problemet e tilla dhe nuk mund të jemi të suksesshëm në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballemi”- theksoi ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.
I pranishëm në “Shkollën e Liderëve të Rinj” në Ohër, ishte edhe senatori i Parlamentit të Kanadasë, Donald Dejv Meredit, i cili u shpreh i kënaqur me idenë e organizimit të kësaj shkolle dhe mundësinë që u ofrohet të rinjve.
ZEJXHANE OSMANI
