TË ZHDUKURIT

Pas 13 viteve, ende nuk zbardhet fati i Ruzhdi Veliut

20.08.2014 16:27

Kaluan 13 vite dhe asnjë institucion nuk jep përgjigje se kush e rrëmbeu dhe ku gjenden gjurmët e Ruzhdi Veliut nga Kërçova, vëllait të kreut të SHVL-UÇK-së, Fazli Veliut.....

Në prag të 13 vjetorit nga   zhdukja e tij, familjarët kërkojnë rikthim të lëndës në organet e jurisprudencës së vendit dhe përgjigje nga të njëjtat rreth fatit të të zhdukurit, Rruzhdi Veliut, ata njëherit  shprehin  dyshimin  se zbardhja e fatit të Ruzhdiut dhe të zhdukurve të tjerë, po zvarritet qëllimisht.

“Ne, deri më sot nuk kemi ndonjë përgjigje ekzakte juridike apo serioze se bëhet hulumtimi apo shkohet drejt gjetjes së gjurmëve në vendet ku janë marrë dhe jemi drejtuar mandej dy herë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë në Bruksel dhe në Strasburg. Para tre muajsh, erdhi një shkresë te ne që të rimëkëmbet dhe të rikthehet lënda në vend, te institucionet e vendit për rishqyrtim, sidomos për vëllanë tonë, Ruzhdi Veliun, për të cilin ata kanë një konsideratë dhe thonë se kemi fakte se ai është rrëmbyer nga Forcat Policore të asaj kohe, ndoshta edhe të kombinuara të rezervistëve të kthyer nga lufta, të humbur nga lufta”- deklaroi familjari, Fazli Veliu.

Ruzhdi Veliu, është një ndër shumë shqiptarët e zhdukur në vitin 2001, gjatë konfliktit mes UÇK-së dhe forcave maqedonase. Të rrëmbyer ende figurojnë: Hajredin Halimi nga Shkupi, Sulltan Mehmeti nga Struga dhe Xhelil Osmani nga Gostivari.

Të  gjitha informacionet e familjarëve, por dhe e ish-kryetarit të Komisionit për të Zhdukurit, Lars Uahlund, kanë qenë se Ruzhdi Veliu dhe të rrëmbyerit tjerë shqiptarë janë arrestuar nga pjesëtarët e përbërjes rezerve të MPB-së. Në vitin 2004, në vendin e quajtur “Shpella”, u gjetën trupat e Ibrahim Veliut e Zeqirja Veliut nga Shkupi dhe e Islam Veliut nga Struga dhe shtetasit bullgar, Radosllav Balev. (Zejxhane Osmani, TVM2)