Maqedoni

LSDM nuk kthehet në Parlament

20.08.2014 17:43

LSDM mbetet jashtë institucioneve. Pritjet se LSDM mund të ndryshojë qëndrim në mbledhjen e Këshillit Qendror...

LSDM mbetet jashtë institucioneve. Pritjet se LSDM mund të  ndryshojë qëndrim në mbledhjen e Këshillit Qendror, u hodhën poshtë nga zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, i cili deklaron se kthimi i deputetëve në Kuvendin Republikan nuk është as në rend dite, pasi nuk ka asnjë arsye për ndryshimin e qëndrimit të opozitës.
 
“Jo! Pasi asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e RM-së. Çfarë ka përmbushur Nikolla Gruevski nga kërkesat decide të LSDM-së”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Sipas tij, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Këshilli Qendror do të miratojë strategjinë se si LSDM-ja do të veprojë si opozitë jashtëparlamentare.
 
“Dokumentet që sot janë në rend dite, janë në fakt miratimi i strategjisë për veprim jashtëinstitucional të LSDM-së në skenën politike në Republikën e Maqedonisë”- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Opozita maqedonase, duket e vendosur që betejën me pushtetin ta vazhdojë jashtë institucioneve. Strategjia e opozitës, mbetet mister deri në miratimin nga organi më i lartë i partisë, që pritet të ndodhë sonte.
 
Debati për bojkotin kuvendor do të hapet vetëm nëse pushteti pranon të bisedojë për pesë pikat që ka kërkuar opozita, përfshirë edhe atë për formimin e një qeverie teknike.
 
Në Këshillin Qendror, në harmoni me statutin e partisë do të hapet çështja për përjashtimin e deputeteve, Buralieva dhe Gërceva, nga anëtarësia e partisë, pasi nuk respektuan vendimin dhe pranuan mandatin e deputetes. 
 
SHPËTIM NUREDINI