MAQEDONI

Së shpejti, kalimi i kufirit në Kosovë me letërnjoftim

21.08.2014 17:04

Ngecja e nismës për kalimin e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës edhe me letërnjoftime biometrike...

Ngecja e nismës për kalimin e kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës edhe me letërnjoftime biometrike, ndodh për shkak të problemit teknik të paraqitur në fillimin nga ana e Shtetit të Kosovës sa i përket cilësisë së dokumenteve dhe më pas kufizimet e shumta që parashihen gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që u zhvilluan së fundmi në të dyja vendet, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Për implementimin e këtij regjimi, është e nevojshme të nënshkruhet marrëveshje adekuate, për të cilën pritet të punohet pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
 
“Besoj se pas zgjedhjes së Qeverisë së re në Kosovë, pala kosovare nëse është e interesuar, do të hapë këtë çështje, por prapë standardet janë të qarta dhe para së gjithash është e rëndësishme që këto standarde të plotësohen në kuptimin teknik, ndërsa më pas Qeveritë e të dyja vendeve do të deklarohen për mundësinë e inkuadrimit të këtij regjimi”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Deri më tani, Maqedonia ka vendosur këtë regjim me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi.
 
FLORIJE KAMBERI