MAQEDONI

Do të hiqet roamingu në vendet e Ballkanit

21.08.2014 18:18

Abonentët e operatorëve celular nga nëntë vende të Ballkanit, së shpejti nuk do të paguajnë roaming gjatë udhëtimit në këto vende...

Abonentët e operatorëve celular nga nëntë vende të Ballkanit, së shpejti nuk do të paguajnë roaming gjatë udhëtimit në këto vende, i cili për telefonata ishte rreth 6 herë më i shtrenjtë, ndërsa për shfrytëzim të internetit, madje deri në 25 herë më i shtrenjtë se çmimi në vendin përkatës.
 
Drejtorët e trupave rregullator të vendeve të Ballkanit, kanë gjet mundësi ligjore dhe kanë rënë dakord për heqjen e tarifës së romingut mes vendeve të Ballkanit, sipas praktikës së vendeve të Bashkimit Evropian.
 
Nëse nisma realizohet, atëherë qytetarët e Maqedonisë, Shqipërisë,Turqisë, Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë nuk do të paguajnë fatura të larta telefoni për telefonata apo internet gjatë udhëtimeve në këto vende.
 
Nismës i është bashkangjitur edhe Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina. 
 
“Derisa presim nismën tonë para Komisionit Evropian për përshtatjen e çmimet tona të roamingut me ato evropiane, të cilat e dimë se janë 4 deri në 6 herë më të larta krahasuar me ato evropiane, ne - Rregullatorët e Ballkanit, vendosëm në nivel rajoni, të dakordohemi në mënyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe, që çmimet e roamingut mes vendeve tona, të barazohen dhe abonentët nga nëntë vendet që numërova, të mos paguajnë çmime më të larta për roaming”- deklaroi drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, Robert Ordanovski.
 
Sipas Ordanovskit, procedura për firmosjen e marrëveshjes shumëpalëshe dhe ratifikimi i saj në vendet përkatëse, mund të përfundojë deri në fund të këtij viti, që pas 1 janarit marrëveshja të zbatohet në praktikë.
 
Nisma parasheh që tarifimi gjatë udhëtimit në këto vende, të jetë njësoj sikur abonentët të ishin brenda vendit të tyre amë.
 
Nisma është kundërshtuar nga operatorët celular, por Ordanovski thotë se trupat rregullator do të mbrojnë interesin e abonentëve. 
 
SHPËTIM NUREDINI