Maqedoni

Do të rregullohet pellgu i lumit Strumicë

22.08.2014 15:16

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Nurhan Izairi, sot, në hapësirat e Ministrisë realizoi takim pune...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Nurhan Izairi, sot, në hapësirat e Ministrisë realizoi takim pune me përfaqësuesen e përhershme të Programit për Zhvillim i  Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë, Luiza Vinton.

Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe  projektet e  mundshme të ardhshme të përbashkëta, ndërsa u nënshkrua edhe marrëveshja për realizimin e projektit “Restaurimi i pellgut të lumit Strumicë“.

Ky projekt është financuar  nga Qeveria zvicerane, ndërsa do të zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë.

Qëllimi i projektit është restaurimi i funksioneve socio-ekologjike të pellgut të lumit Strumicë, duke zhvilluar një plan për menaxhimin e pellgut dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me direktivat e BE-së.

Njëherësh, për herë të parë do të bëhen përpjekje kombëtare për zbatimin e parimeve të BE-së në aspekt të përballjes me rreziqet nga përmbytjet. Projekti është për një periudhë  prej një viti (2014 - 2015), në vlerë prej 315,790 dollarë amerikane.