Maqedoni

Verdhëza edhe në Shkup, shënohen 66 raste

22.08.2014 16:13

Shkupi rrezikohet nga epidemia e Verdhëzës. 66 raste janë regjistruar në kryeqendër...

21 raste janë në lagjen e Shutkës, rastet e tjera janë zbuluar në lagjet Aerodrom, Qendër, Çair, Karposh, Butel dhe Gjorçe Petrov.
 
Të sëmurët janë të moshës 3 deri në 58 vjeç. 15 të sëmurë janë shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, 40 të tjerë kanë kërkuar ndihmë atje. Mjekët apelojnë për kujdes, pasi ekziston rreziku për përhapjen e sëmundjes.
 
Ata thonë se sëmundja mund të jetë përhapur si shkas i shirave të fundit, që sollën grumbullimin e ujërave atmosferikë dhe të rrjetit të kanalizimit në komunat me më shumë raste. 
 
Në Shtip, ndërkohë është shpallur gjendje epidemie. Atje, 15 të sëmurë të rinj janë hospitalizuar. Sipas autoriteteve, fakt lehtësues është pushimi veror i nxënësve, që pamundëson përhapjen e sëmundjes nëpër shkolla. 
 
Mjekët apelojnë për shtim të higjienës personale, kujdes gjatë përdorimit të tualeteve publike, kujdes se çfarë uji pini! 
 
Sektori për epidemiologji në Qendrën e Shëndetit Publik, po e ndjek me kujdes situatën dhe do të ndërmarrë masat e duhura sipas nevojës.