Maqedoni
Ministri Neziri takoi ambasadorin Volers
22.08.2014 16:41
Ambasadori amerikan, është takuar sot edhe me ministrin e Ekonomisë, Bekim Neziri...

Ky i fundit, prezantoi projektet aktuale dhe të planifikuara që realizohen me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Maqedoni.
Shtetet e Bashkuara si partnerë të rëndësishëm të Maqedonisë, nga viti në vit gjithnjë e më shumë pozicionohen në listën e vendeve me të cilat Maqedonia ka vëllim më të madh të tregtisë.
Në vitin 2013, Shtetet e Bashkuara ishin të renditura në vendin e 16-të, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2014, janë në vendin e 15-të.
Ministri Neziri, dha një analizë të avantazheve krahasuese, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në tërheqjen e investimeve të reja, si dhe investime të reja nga kompanitë amerikane, duke i dhënë theks të veçantë bashkëpunimit me USAID-in, në drejtim të mbështetjes financiare dhe logjistike, që ofron në kuadër të projektit në fushën e energjetikës, “Javës CEFTA”, përmirësimin e klimës së biznesit dhe promovimit të eksportit.
Ambasadori Volers, theksoi se Republika e Maqedonisë ka mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ata janë të gatshëm të ndihmojnë në realizimin e prioriteteve të planifikuara të Ministrisë së Ekonomisë dhe në inicimin e projekteve të reja, të cilat do të pasurojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve.
