Maqedoni
“Monstra”, familjarët kërkojnë imunitet për dëshmitarët
22.08.2014 17:32
Edhe sot u zhvilluan të qeta protestat kundër vendimit me burgim të përjetshëm të 6 të dënuarve në rastin “Monstra”...

Por, në protestat e sotme, kryesuesi i Këshillit Organizativ, Bedri Ajdari, tha se ka dëshmitarë të rinj që do të provonin pafajësinë e të afërmve të tyre. Por, ai kërkoi nga autoritetet ndërkombëtare garanci për këta dëshmitarë, pasi sipas tij, ata kanë frikë të flasin hapur.
“Ne kërkojmë imunitet për të dëshmuar se si është montuar rasti, ka njerëz të cilët dëshirojnë të japin deklarata dhe të dëshmojnë, por ndihen të rrezikuar dhe nuk mund ta thonë fjalën e vërtetë. Ne kërkojmë drejtësi, barazi dhe liri për të gjithë, jo drejtësi të njëanshme, drejtësi e cila i imponohet me forcë gjyqësorit dhe me diktat shpallen aktvendimet”- deklaroi Berdri Ajdari nga Këshilli Koordinues.
Në protesta u ripërsëritën edhe kërkesat tashmë të njohura, lirimin e gjashtë të dënuarve me burg të përjetshëm, lirimin e protestuesve të dënuar, si dhe dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovskës, gjykatësit dhe prokurores së angazhuar në këtë rast.
Edhe sot, protestuesit u ndaluan nga kordoni policor, i vendosur në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja” dhe nuk mundën kërkesat e tyre t’i lexonin para ndërtesës së Qeverisë. Protestuesit habiten nga pengimi që u bën Policia, pasi ata posedojnë leje po nga Policia për të protestuar para Qeverisë.
“Ia bëjmë me dije Qeverisë që mos të na i vënë këtu kordonin policorë që gjithmonë po na ndalojnë te Qendra Tregtare “Mavrovasja”. Nuk kemi dalë ne sot t’i vëmë kufijtë e Maqedonisë, se këtu e kemi kufirin ne, kemi dalë të protestojmë në mënyrë ligjore”- theksoi familjari, Safet Aziri.
“Kërkesat tona legjitime do të jenë zgjidhja përfundimtare e labirintit të politikës së padrejtësive ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Ne në vazhdimësi po i përsërisim kërkesat tona dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga ato, deri sa të plotësohen të njëjtat”- tha Daim Luci nga Këshilli Organizativ.
Protesta e zhvilluar gjatë ditës së sotme ishte e qetë dhe përfundoi pa incidente, ndërsa protestuesit thanë se do të vazhdojnë protestën deri në përmbushje të kërkesave të tyre.
FLORIJE KAMBERI
