Maqedoni

Natë e përgjakshme në Ohër, 2 të vrarë

22.08.2014 17:35

Dy të vdekur, është bilanci i një incidenti të armatosur që ndodhi mbrëmë në mesnatë në Ohër...

Sipas të dhënave paraprake të MPB-së, 59 vjeçari, Vasil Risteski, pronar i një lokali në Ohër dhe 38 vjeçari, Romeo Gjuzeloski, janë vrarë teksa ishin duke ndenjur në verandën e lokalit të Risteskit.
 
Nga një makinë, dy persona të panjohur kanë hapur armë zjarri, duke ua marrë jetën në vend. Policia punon në zbardhjen e rastit dhe identifikimin e vrasësve. Njëri prej tyre është arrestuar.
 
“Sektori për Punë të Brendshme në Ohër, ngriti padi penale ndaj 2 personave nën dyshimin se kanë kryer vrasje dhe mbajtje joligjore të armëve. Sipas të dhënave, personi i cili është në arrati, ka realizuar disa thirrje me personin të cilin ne e kemi arrestuar dhe së bashku me makinën tip “BMW”,  mbrëmë janë drejtuar  në rrugën “15 Korpus”, ose në lokalin “Imperial”, ku është kryer vrasja”- deklaroi zëdhënësi i sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, Stefan Dimovski.
 
Qytetarët që kanë qenë aty pranë kur ndodhi ngjarja, janë ende të tronditur. Vrasja e dy njerëzve në mes të sezonit turistik, nuk është reklamë e mirë për qytetin.
 
“Unë këtu punoj, në mëngjes kur erdha, mora vesh se ka ndodhur vrasje e dyfishtë, por si ka ndodhur nuk kam informata, por mund t’u them se dy personat e vrarë ishin të ndershëm”- tha një qytetarë.
 
Vasil Risteski, në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Ohrit dhe më pas u mbështet edhe nga partia opozitare, LSDM, ai njëkohësisht ishte kryetar i Partisë Demokristiane.
 
Sipas të dhënave të MPB-së, prej në fillim të këtij viti janë kryer 18 vrasje dhe në të kanë humbur jetën 22 njerëz.
 
REXHEP QAMILI