Maqedoni
Burg për pjesëmarrësit në konflikte të huaja
22.08.2014 17:54
Qeveria miratoi propozim-ligj me të cilin parashikohen dënime me burg për pjesëmarrje në luftëra të huaja, në formacionet paramilitare...

4 vite burg për pjesëmarrësit, 5 vite për organizatorët. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se me këtë masë forcohet sistemi i sigurisë shtetërore, si dhe i luftës kundër kërcënimeve globale, siç është terrorizmi.
Me ndryshimet e reja ligjore, qartë është precizuar se ai që do të shkaktojë dhe organizojë transport, pajisje, trajnim të individëve ose grupacioneve, do të dënohet me së paku 5 vite burg. Gjithashtu, i njëjti dënim është paraparë për atë i cili ofron, kërkon, jep, mbledh fonde ose mjete financiare për këto qëllime.
Me së paku 4 vite burg do të dënohen ata të cilët do të marrin pjesë ose do të trajnohen për veprime luftarake jashtë Maqedonisë. Ligji i ri parasheh së paku 4 vite burg edhe për personat që mbledhin, organizojnë nëpërmjet rrjeteve sociale incizime, audio dhe video në të cilat thirret ose flasin njerëz për pjesëmarrje në këto formacione.
Me Ligj do të dënohet edhe ndihma dhe tentimi për këto vepra.
