Maqedoni

Ndotja në Tetovë, reagon ministria

22.08.2014 18:38

Ministria e Ambientit Jetësor, ka reaguar pas lajmit të publikuar në disa media...

Ministria e Ambientit Jetësor, ka reaguar pas lajmit të publikuar në disa media, të cilat hodhën dyshimin se zhvendosja e stacionit të matjes së cilësisë së ajrit në Tetovë, bëhet me qëllim të fshehjes së ndotjes alarmante në ajrin e këtij qyteti.

Në reagimin e Ministrisë së Ekologjisë, thuhet se lokacioni ku gjendej matësi i ndotjes së ajrit, nuk tregon rezultate relevante për cilësinë e tij.

“Stacioni vëzhgues automatik për matjen e cilësisë së ajrit në Tetovë, ishte vendosur në përputhje me direktivat evropiane për vëzhgim të cilësisë së ajrit. Sipas këtyre direktivave, 30 metra rreth stacionit nuk guxon të ketë objekte që do të pengonin lëvizjen e erërave dhe të përqendronin ndotjen. Me ndërtimin e sallës sportive, e cila gjendet në largësi vetëm 10 metra nga stacioni vëzhgues, pengohet lëvizja e erërave dhe përqendrohet ndotja dhe me këtë, parametrat e fituara nga instrumentet matëse nuk japin pasqyrën relevante”- thuhet në reagimin e Ministrisë së Ambientit Jetësor.