Maqedoni
Konferencë kushtuar hapësirës për të protestuar
25.08.2014 15:26
Arrestimi masiv i demonstruesve, kufizimi i hapësirës dhe kohës për mbajtjen e protestave dhe frikësim i administratorëve dhe të qytetarëve për të protestuar...

Arrestimi masiv i demonstruesve, kufizimi i hapësirës dhe kohës për mbajtjen e protestave dhe frikësim i administratorëve dhe të qytetarëve për të protestuar, janë një ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, gjithmonë kur organizohen protesta në vend.
Ky është konstatimi i pjesëmarrësve në konferencën rajonale me temë “Mbrojtja e hapësirës për takime të qeta publike në Evropën Juglindore. Sipas tyre, korniza ligjore e Maqedonisë për organizimin e protestave është e mirë, por në shumicën e rasteve Shteti kufizon të drejtat e qytetarëve për të protestuar në mënyrë demokratike.
“Për këtë dukuri, duhet të flitet sa më shumë në opinion. Kemi raste indirekte kur frikësohen qytetarët të dalin në tubime publike dhe mendoj se e vetmja gjë që duhet bërë në këtë moment është që t’i theksojmë këto raste negative, të flasim hapur për to dhe të vihet theksi se protestat janë garantuar me Ligj dhe si të tilla duhet garantuar dhe respektuar nga Shteti”- deklaroi Katerina Haxhi Miceva Evans nga ECNL.
“Në të kaluarën, kemi pasur arrestim masiv të qytetarëve nga ana e Policisë, gjë që nuk është e lejuar me standardet evropiane. Po ashtu kemi pasur takime publike jo të qeta, që po ashtu nuk kanë qenë të shpërndara. Kemi raste të shumta të kufizimit të hapësirës dhe kohës për mbajtjen e protestave nga ana e disa organizatave, por pavarësisht këtyre gjërave, korniza ligjore është e mirë”- theksoi Neda Korunovska nga Organizata Joqeveritare “Reaktor”.
Organizmi dhe mbajtja e protestave, në përgjithësi është problem edhe për vendet e rajonit, thotë Vuk Marash nga Mali i Zi. Ai thotë se Shteti i tij ku jeton, shpesh herë ka humbur rastet për mos lejimin e organizimit të protestave para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ajo që është me shumë rëndësi, është që qytetarët të cilëve u është pamundësuar të dalin në protesta, apo të cilët kanë konstatuar shkelje të ndryshme, duhet t’i shfrytëzojnë mekanizmat ligjore dhe të luftojnë për tu fituar të drejtat e tyre. Kemi Gjykatën Evropiane për Drejtat e Njeriut dhe dikush duhet t’i orientojë qytetarët deri tek këto institucione. Ne atëherë kur kemi vërejtur se Shteti na pamundëson të kryejmë punën tonë, ne u jemi drejtuar Gjykatave të huaja dhe kemi fituar plotë raste të tilla”- tha pjesëmarrësi nga Mali i Zi, Vuk Marash.
Në Maqedoni, deri më tani janë organizuar protesta të ndryshme, në disa raste pjesëmarrësit dhe organizatorët janë dënuar edhe nga 2 vjet burg.
REXHEP QAMILI
