Maqedoni

“Hepatiti C”, nuk prolongon fillimin e vitit shkollor

25.08.2014 16:44

Nuk do të ketë prolongim të vitit shkollor për shkak të epidemisë nga “Verdhëza”...

Kështu u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit, ministria e Arsimit është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetit Publik.
 
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe në seancën e fundit ka pasur rekomandim për të gjitha shkollat në Maqedoni, që të ndërmarrin masa të nevojshme sa i përket higjienës nëpër shkolla. Janë ndërmarrë të gjitha masat që viti shkollor të fillojë me sukses, ndërsa në rast se do të ketë një vendim për prolongim të vitit shkollor, opinioni do të jetë i informuar”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Sa i përket afatit të muajit gusht për provimin e Maturës Shtetërore, Ministri Ademi tha se janë paraqitur gjithsej 3650 kandidatë, ndërsa për realizimin e saj janë angazhuar rreth 480 testues, 40 vëzhgues dhe 168 vlerësues. 
 
“Prej gjithsej 1229 kandidatë në provimin e gjuhës dhe letërsisë amtare, provimin e kanë kaluar 911 kandidatë, për gjuhët e huaja nga gjithsej 2142 kandidatë, provimin e kanë kaluar 1207 kandidatë, matematikë në nivelin bazë, nga 169 kandidatë  e kanë kaluar 111, ndërsa matematika e nivelit të avancuar ka pasur 2 kandidatë, të cilët nuk e kanë kaluar provimin. Nga gjithsej 190 kandidatë, 164 e kanë dhënë provimin e lëndës së filozofisë, ndërsa gjithsej 8 kandidatë kanë hyrë dhe e kanë kaluar provimin e estetikës. 64 nxënës nga gjithsej 108, e kanë kaluar provimin e lëndës së biologjisë, 178 kandidatë të paraqitur në lëndën e historisë provimin e kanë kaluar vetëm 141 nxënës, në provimin e kimisë ka pasur 12, ndërsa kanë kaluar 4 kandidatë, ndërkohë që në fizikë kishte 4 kandidatë të paraqitur, ndërsa vetëm 1 e kaloi edhe në lëndën e biznesit kishte 259 kandidatë, prej të cilëve kanë kaluar gjithsej 200”- theksoi ministri Ademi.
 
Ademi, po ashtu tha se në bazë të Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm, më 21 gusht është shpallur edhe lista me rangimin e arsimtarëve dhe profesorëve për vitin shkollor 2012\2013. 
 
“Për arsimtarët nuk do të ketë ndëshkime dhe shpërblime, por do të ketë vetëm këshill-dhënie nga këshilltarët e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit”- tha ministri. 
 
BESIM ABDULLAI