Maqedoni
Përplasje BDI-PDSH rreth ndryshimeve kushtetuese
25.08.2014 17:28
Komisioni për Çështje Kushtetuese, miratoi projekt-ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria...

BDI, mbështeti propozim-ndryshimet, por vlerëson se me këto ndryshime nuk përmbyllen të gjitha çështjet. Partia shqiptare në pushtet, vlerëson se Kushtetuta ka nevojë për ndryshime në pjesën ku rregullohen marrëdhëniet ndëretnike.
“BDI, do të përkrah propozimet të cilat propozohen për ndryshimin e Kushtetutës. Ne mbajmë qëndrimin edhe më tutje, se ka nevojë që të hapet debat edhe për ndryshime të reja edhe në Kushtetutën e RM-së, ndryshime të reja që kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet ndëretnike, pasi që jemi të vetëdijshëm se ka nevojë që të precizohen disa amendamente të Kushtetutës, por ajo ngel që bashkë me partnerët e koalicionit dhe partitë e tjera t’i harmonizojmë”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Kundër ndryshimeve ishte vetëm PDSH, me arsyetimin se ndryshimet e propozuara nuk janë më prioritet dhe nuk përfshijnë asnjë nga kërkesat reale të shqiptarëve.
“PDSH, vlerëson se ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk paraqesin prioritet për shqiptarët, përderisa nuk përmbajnë ndryshime që kanë të bëjnë me kërkesat reale të shqiptarëve, e që janë: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit kombëtar, apo përderisa nuk përmbajnë ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me garantimin e ndarjes së drejtë dhe proporcionale të buxhetit të Shtetit”- theksoi deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.
Ndryshimet kushtetuese, përveç që nuk kanë mbështetjen e opozitës shqiptare, ato po miratohen edhe në mungesë të opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM, deputetët e së cilës kanë refuzuar të pranojnë mandatin e deputetit.
Projekt-amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës do të jenë në seancë plenare të mërkurën, e cila do të shënon përfundimin e fazës së dytë të ndryshimeve të Kushtetutës dhe fillimin 30 ditor të debatit publik. Procedura e miratimit të amendamenteve kushtetuese pritet të përfundojë deri në fund të muajit tetor.
SHPËTIM NUREDINI
