Maqedoni

Hapet rruga për arritjen e dosjeve nga Beogradi

26.08.2014 16:41

Me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë nga ana e Komisionit për Politikë të Jashtme...

Me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë nga ana e Komisionit për Politikë të Jashtme, për Shkëmbim  dhe Mbrojtje të Ndërsjellë të Informatave të Klasifikuara, i hapet rruga shërbimeve sekrete të Maqedonisë, të kenë qasje në dosjet që gjenden në arkivin e Beogradit.
 
Kështu u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se sipas kësaj marrëveshje nuk parashikohet që qasje në informatat e klasifikuara të ketë edhe Komisioni për Verifikimin e Fakteve.
 
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, do të kapërcejmë këtë hendek që ekzistonte në arkivin tonë te Shërbimet Sekrete të vendit edhe të atyre që janë nën kompetencë të presidentit. Pritet që me qasjen te këto dokumente, në Maqedoni të mbërrijnë më shumë dosje politike që janë udhëhequr nga Shërbimet Sekrete të ish-Jugosllavisë, si dhe disa dosje të cilat kanë qenë të udhëhequra nga UDB-ja”- deklaroi Antonio  Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Artan Grubi nga BDI, ka kërkuar që marrëveshje të tilla të bëhen edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.
 
“Do të kisha kërkuar që marrëveshje të tilla të bëhen edhe me fqinjët e tjerë, përfshirë Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë, Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë. Maqedonia ka prioritete në politikën e jashtme, prioritet është integrimi në NATO dhe në BE dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira dhe korrekte ndër-fqinjësore. Gjithashtu do të kisha pritur nga Ministria e Jashtme që të avancohen edhe në drejtim të komunikimit formal dhe joformal me Kosovën dhe Shqipërinë. Në veçanti, në arritjen e marrëveshjes për kalim të kufirit me Republikën e Kosovës vetëm me letërnjoftim, për qytetarët e të dy vendeve tona”- theksoi Artan Grubi nga BDI.
 
Që marrëveshja për informatat e klasifikuara të hyjë në fuqi, duhet paraprakisht të ratifikohet edhe nga Parlamentet e të dy vendeve. 
 
BESIMI ABDUALLAI