Maqedoni
Rritet numri i të infektuarve nga “Verdhëza”
26.08.2014 17:10
Edhe më tej po rritet numri i të infektuarve prej “Verdhëzës”. Mbrëmë janë regjistruar dy raste, ndërsa sot edhe një rast i ri...

Një vajzë trembëdhjetë vjeçare nga Shuto Orizari, është hospitalizuar në Klinikën Infektive. Sipas infektologëve, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Shkup, është 76.
Në Shtip janë regjistruar sot edhe tre raste të reja dhe ka gjithsej 37 të infektuar nga “Hepatiti A”, ndërsa në Kumanovë janë regjistruar tre raste. Epidemiologët veç më kanë marrë mostra nga uji për analiza. Analizat duhet të tregojnë se cili është burimi i infektimit. Në vendet publike ku lozin fëmijët veç më janë ndërmarrë të gjitha masat për dezinfektim përkatës të hapësirave.
“Është bërë dezinfektimi i hapësirës ku lozin fëmijët dhe dezinfektimi i lojërave që përdoren me solucion të posaçëm, të cilin e bën firma e specializuar dhe po ashtu nuk lejohet që fëmijët të hynë me këpucë, por përdorin këpucë adekuate. Sigurisht se përdoren edhe mjete vetanake për dezinfektimin e duarve”- deklaroi drejtori i një këndi të lojrave, Vujan Drekalovic.
Ndërkohë, nga LSDM u bëjnë ftesë inspekcioneve të tregojnë se çfarë masa kanë ndërmarrë për prevencë kundër “Verdhëzës”. Sipas tyre, ekziston rrezik që për shkak të periudhës së inkubacionit, “Verdhëza” të përhapet në mesin e nxënësve, nëse nuk merren masa përkatëse dhe për këtë akuzojnë kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovskin.
“Qyteti, pas çdo rënie shiu po përmbytet. Kanalizimi atmosferik nuk i plotëson nevojat e Shkupit. Koce Trajanovski është humbur nga luksi të cilin po e përjeton në pushtet. Ai ka dhënë garanci për kredit prej 7 milion e 300 mijë euro për ndërtesën e ujësjellësit në një vend ku ka epidemi, për shkak se qytetarët nuk kanë qasje deri te uji i pijshëm”- theksoi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mancevski.
Nga LSDM-ja opozitare thonë se ekziston mundësia që fëmijët, të cilët janë të infektuar, të paraqiten në shkollë, prandaj duhet që inspekcionet të tregojnë se çfarë masa ndërmerren që nxënësit të mbrohen, sepse fëmijët më së paku i kanë të zhvilluara shprehitë higjienike.
Periudha e inkubimit është nga 15 deri ne 50 ditë, kështu që simptomat nuk do të vërehen, ndërsa infeksioni do të përhapet.
Infektologët bëjnë apel që higjiena të përmirësohet në nyje sanitare, si dhe të përdoren dezinfektues, sepse sëmundja përhapet po ashtu edhe përmes kontaktit indirekt me gjësende të kontaminuara.
FLUTURA LATIFI
