Maqedoni

Rrihen deputetët e BDI-së dhe PDSH-së

26.08.2014 17:38

Debati rreth ribalansit të buxhetit degjeneroi në përleshje me grushta mes deputetëve shqiptarë të pushtetit dhe opozitës...

Këmbimi i akuzave të njëpasnjëshme nga foltorja dhe nga vendi se kush është hajni më i madh, mashtruesi dhe kush bashkëpunëtorë i Shërbimeve, ishte arsyeja kryesore për aktin e dhunshëm mes deputetëve shqiptarë. 
 
“Të akuzosh për hajni a të jesh në krye të hajnisë, ajo është çështje tjetër. Mban përgjegjësi vetë ai që flet, por të konstatosh sende që kanë të bëjnë me persona konkret që përmenden në foltore, duke e përdor foltoren dhe Parlamentin?! Nëse zotëria në fjalë ka fakte për atë që bën konstatim këtu, le të del. Le të bën akuzë publike për atë punë”- deklaroi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
“Kush është ky zotëri të më tregojë se unë çfarë flas? Është e drejta ime si deputet, si i përzgjedhur i popullit. (Dil atje fol–ndërhyn Talat Xhaferi.) Kam fol edhe atje unë. Ti më njeh mua. Kam fol edhe para shtëpisë së Musa Xhaferit. O të njoh edhe unë. Je një udbash”- tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
 
Pas uljes së gjakrave, grupi parlamentar i BDI-së dënoi aktin e dhunshëm dhe kërkoi formimin e një komisioni anketues, i cili do të zbardhte rastin.
 
Ndërsa grupi parlamentar i PDSh-së, kërkoi ndjekje penale ndaj deputetëve të BDI-së dhe deklaruan se në ndërkohë do të bojkotojnë punën e Kuvendit. 
 
“Grupi parlamentar i BDI-së, shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon ashpër incidentin e turpshëm të iniciuar nga deputetët e PDSH-së, Orhan Ibrahimi dhe Bekim Fazliu. Në mungesë të argumenteve dhe ofertës konkurruese për qytetarët shqiptarë, si dhe nga frustracioni i vazhdueshëm pas humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhjet në R. M., PDSH zëvendëson veprimin politik me grushta, ofendime dhe mungesë të burrërisë. Andaj, BDI kërkon themelimin e komisionit anketues që do të zbardh incidentin e sotëm dhe do të dënon të involvuarit, si dhe ata që e nxitën, që qartazi shihet për të gjithë opinion shqiptar”- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi. 
 
“Rasti i sotëm është një krim i organizuar dhe orkestruar nga ana e Ali Ahmetit, me qëllim dhunimin e opozitës shqiptare. Vrasjet dhe dhunimet e shqiptarëve këto 13 vitet e fundit tashmë janë bartë edhe në Kuvend, me tendencë për eliminim të opozitës shqiptare. Kërkojmë urgjentisht që të fillojë procedura për ndjekje penale ndaj këtyre dhunuesve dhe kriminelëve, si Talat Xhaferi, Rexhail Ismaili, Mervan Xhemaili, Musa Ibrahimi, Artan Grubi dhe të tjerë. Në ndërkohë, ne do të marrim masa adekuate për t’u mbrojtur”- u shpreh deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.
 
Aktin e dhunshëm në Kuvend e dënoi edhe kryeparlamentari, Trajko Veljanovski.
 
SHPËTIM NUREDINI