Maqedoni

FSSH: mjekët amë do të japin më shumë receta

27.08.2014 14:42

Fondi Shëndetësor ka miratuar kërkesën e mjekëve të sektorit privat, që të mos u ndërpritet kontrata në mënyrë të njëanshme nga Fondi...

Fondi Shëndetësor ka miratuar kërkesën e  mjekëve të sektorit privat, që të mos u ndërpritet kontrata në mënyrë të njëanshme nga Fondi, nëse mjeku i mjekësisë së përgjithshme, gjinekologjisë apo stomatologjisë së përgjithshme, shfrytëzon pushimin e lindjes dhe brenda 35 ditësh nuk gjen zëvendësim.
 
Ky afat tani do të jetë 270 ditë, me atë që do të duhet të ofrohet dëshmi për dy konkurse të shpallura në Agjencionin për Punësim.
 
“Bëhet ndryshim, ashtu që ndërmarrja private shëndetësore maksimum ka pasur afat prej 35 ditësh të gjejë mjek zëvendës dhe nëse nuk gjente prishej me automatizëm kontrata. Tani ky afat është zgjatur në maksimum 270 ditë, me qëllim që ndërmarrjet private shëndetësore të mund të gjejnë mjek në rastet kur në konkurset e shpallura nuk paraqiten”- deklaroi drejtori i FSSH-së, Xhemali Mehazi.
Po ashtu Mehazi ka njoftuar edhe për mundësinë që mjekët amë kanë, të shkruajnë receta për më shumë barëra që i mbulon Fondi.
 
“Ndryshimi i dytë i nenit 15 të marrëveshjes të mjekëve amë ka të bëjë me ndryshimin e pikëve për denarë, të mënyrës së përshkrimit të recetave dhe ajo nga 330 denarë deri tani, rritet në 400 denarë. Ky ndryshim është bërë me qëllim që tu mundësohet mjekëve amë në raste të veçanta, të kenë mundësi të shkruajnë barëra nga mjekësia primare në sasi më të madhe” - deklaroi drejtori i FSSH-së, Xhemali Mehazi.
 
Vendimi që ka të bëjë me zgjatjen e afatit për mjekun zëvendësues, hyn në fuqi nga një shtatori, ndërsa ai për barërat, nga një tetori.
 
GYLTENE SINANI