Maqedoni

Zëvendëskryeministri Xhaferi, takoi ambasadorin kinez

27.08.2014 15:15

Maqedonia dhe Kina kanë bashkëpunim të mirë dhe se ky bashkëpunim i ndërsjellë po thellohet në të gjitha sferat...

Kështu kanë vlerësuar në takimin e sotëm zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi dhe ambasadori kinez në Shkup, Liu Huiwen.
 
Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga kabineti i zëvendëskryeministrit, Xhaferi, ambasadori kinez ka thënë se interesimi i kompanive kineze për të investuar në Maqedoni në sfera të ndryshme, si në infrastrukturën rrugore, bujqësi, tekstil, si dhe sfera tjera, është i madh.
 
Ai veçoi interesimin që kanë kompanitë kineze për ndërtimin e autostradës Gostivar-Kërçovë dhe autostradës që lidh Shkupin me Republikën e Kosovën, veçanërisht deri në vendkalimin kufitar Bllacë. Projekte këto që do të jepen me koncesion. 
 
Ndërsa në komunikatë po ashtu thuhet se zëvendëskryeministri, Xhaferi, vlerësoi lart investimin nga kompanitë kineze, duke theksuar se tërheqja e investimeve të huaja është prioritet i Qeverisë së Maqedonisë dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, që do të ndikojë në rritjen e standardit të qytetarëve.
 
Në këtë takim është biseduar edhe për situatën politike në vend dhe rajon, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe tema të tjera. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI