Maqedoni
QSHP: janë dezinfektuar hapësirat në shkolla dhe kopshte
27.08.2014 16:25
Qendra e Shëndetit Publik, ka marrë të gjitha masat e nevojshme sanitare higjienike kundër përhapjes së epidemisë së “Verdhëzës”...

Kopshtet dhe shkollat mund të jenë burime potenciale për përhapjen e epidemisë, andaj janë ndërmarrë të gjitha masat për dezinfektimin e hapësirave para fillimit të vitit shkollor.
Epidemia ka shkaktuar shqetësim te opinioni, por drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Shemsi Musa, thotë se ky institucion ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme higjienike.
“Shërbimi i DDD-së është duke bërë dezinfektimin e të gjitha hapësirave shkollore për parandalimin e përhapjes së “Verdhëzës”. Duhet të bëhet edukimi i fëmijëve në çerdhe dhe shkolla, që me duar të ndyta të mos përdorin asnjë ushqim”- deklaroi drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Shemsi Musa.
Parësor është edukimi për mirëmbajtjen dhe ngritjen e higjienës personale, e cila duhet të fillojë në shtëpi dhe të zbatohet edhe në shkolla, sepse fëmijët janë grupmosha e cila më së paku i ka të zhvilluara shprehitë higjienike.
“Angazhim më i madh për mospërhapjen e “Verdhëzës” duhet të bëhet në kuzhina, në nyjet sanitare duhet të merren masat që të ndërpritet përhapja e “Verdhëzës”, mirëpo këto masa duhet të ndërmerren edhe në shtëpi, me larjen e duarve pas ushqimit, pas tualetit, që higjiena personale të ngrihet në nivel të lartë”- theksoi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Shemsi Musa.
Kujdes të veçantë nxënësit duhet treguar edhe sa i përket konsumimit të ujit të sigurt, të mos përdoret ujë nga çezme apo puse, sepse në bazë të anketave epidemiologjike është konstatuar se infeksioni përhapet edhe nga uji i kontaminuar.
Inspektorët do të mbajnë evidencë për nxënësit të cilët do të mungojnë për shkak të sëmundjes, ndërkohë që numri i rritur duhet të paraqitet në Qendrën e Shëndetit Publik.
FLUTURA LATIFI
