Maqedoni

Rajoni dhe Ballkani Perëndimor, në qendër të vëmendjes

28.08.2014 17:02

Konferenca për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Berlin të Gjermanisë, është një sinjal i fuqishëm se Gjermania dhe Bashkimi Evropian...

Konferenca për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Berlin të Gjermanisë, është një sinjal i fuqishëm se Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë të interesuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por njëkohësisht edhe të shqetësuar për ngecjen e vendeve aspirate drejt Unionit. 
 
Sipas kryetarit të Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadanit, në Konferencë pritet që përveç inkurajimit të ofrohet edhe mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor, njëkohësisht të ndahen edhe obligime.  
 
“Një nga obligimet më të rënda do të merr vetë Maqedonia, kryeministri, sepse definitivisht do t’i thuhet troç se me Greqinë duhet të zgjidhet çështja e emrit, për të hapur ose për të përshpejtuar integrimin, respektivisht anëtarësimin e RM-së në BE”- deklaroi kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani.
 
Sipas Ramadanit, Gjermania është një ndër vendet me më shumë ndikim si në Maqedoni, por edhe në Greqi, sidomos pas krizës financiare të fqinjit jugor dhe nga ky pozicion mund të jetë katalizator për përshpejtimin e procesit të zgjidhjes së kontestit rreth emrit.
 
Por, ai shpreh shqetësimin për qëndrimin e luhatshëm të Shkupit zyrtar, i cili akuzon BE-në për dështimin e vet në procesin eurointegrues dhe kërkon partner alternativ në lindje.
 
“Sikur krijohet përshtypja se shtetet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos në këtë rast po e theksoj Maqedonia, sikur ndjehet e zhgënjyer, sikur fajin e adreson te BE, nga ana tjetër sikur jep sinjale se duhet t’i afrohet lindjes, Rusisë e kështu me radhë”- theksoi Ramadani.
 
Berlini është nikoqir i Konferencës për Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit. Në Konferencë, po vlerësohet progresi i deritanishëm i rajonit në rrugën për në Bashkimin Evropian, por edhe çështje, të cilat janë vendimtare për shpejtësinë dhe suksesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me Unionin.
 
SHPËTIM NUREDINI