IN MEMORIAM

29.08.2014 19:32

Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 57 vjeçare, sot në Shkup ka ndërruar jetë prof.dr. Sami Sylejmani........

I ndjeri ka lindur në Smirë të Kosovës, ku dhe ka mbaruar shkollimin fillor, ndërsa atë të mesëm e kreu në Shkup.

Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-natyrore, dega e Biologjisë, në Shkup. Studimet pasuniversitare, ku mori titullin magjistër i Shkencave të Biologjisë, i mbaroi në Universitetin e Zagrebit, ndërsa doktoraturën e ka mbrojtur në Universitetin e Tiranës.

Një periudhë të gjatë ka qenë profesor i biologjisë në gjimnazin e Ferizajit dhe në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Nga viti 1995, ishte ligjërues në Fakultetin e Shkencave Matematiko-natyrore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në tre disiplina, në degën e Biologjisë. Në këtë Universitet ka kryer edhe poste të rëndësishme, siç është shef i Katedrës së Biologjisë dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-natyrore.

I ndjeri, prof. dr. Sami Sylejmani, ka qenë autor i shumë artikujve shkencorë, kumtesave shkencore dhe botimeve të teksteve universitare.

Varrimi i prof. dr. Sami Sylejmani, u bë sot në varrezat e Bllacës në Shkup.