Maqedoni
Kanadaja përkrah integrimin e RM-së në NATO
01.09.2014 15:26
Kanadaja edhe më tej do të jetë përkrahëse e fuqishme e Maqedonisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik...
Kështu u tha deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë kryetari i Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të Kanadasë, Endru Shir, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Shir, tha se marrëdhëniet bilaterale midis Kanadasë dhe Maqedonisë janë të shkëlqyera, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme për të dyja vendet.
“Kanadaja mbetet përkrahëse e fortë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Besoj se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO edhe do ta përforcojë Aleancën. Bota e vërejti përkrahjen tuaj për operacionet ndërkombëtare paqësore. Shpresoj se do të jemi dëshmitarë që Maqedonia të fitojë vendin e merituar në tavolinën e NATO-s sa më shpejt"- deklaroi kryetari i Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit Kanadez, Endru Shir.
Bashkëpunimin ndërparlamentar të Maqedonisë me Kanadanë e ka vlerësuar edhe kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, i cili pas takimit u shpreh:
“Unë personalisht shpreha falënderim për qëndrimin parimor të Kanadasë, e cila e pranon dhe e përdor emrin tonë kushtetues, si dhe përkrahjen e saj të fortë dhe të vazhdueshme për Maqedoninë në procesin e integrimeve tona euroatlantike”- theksoi kryetari i Parlamentit të RM-së, Trajko Veljanovski.
Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, kryetari i Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të Kanadasë, Endru Shirk, është pritur edhe nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.
NAIM RAMADANI
