Maqedoni

Lamtumirë pushimit vjetor, filloi viti shkollor

01.09.2014 15:55

Dita e parë në shkollë për nxënësit filloi me obligimin për larjen e duarve, me qëllim që të respektohen masat sanitaro-higjienike...

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, vizitoi sh. f. “Bajram Shabani” në fshatin Svillarë, nga ku uroi një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
 
“Nga kjo shkollë e shpall të hapur vitin e ri shkollor dhe të gjithë nxënësve në radhë të parë ju dëshiroj shëndet dhe pastaj sukses në këtë vit shkollor. Shpresoj se me të gjitha investimet që bëhen nga Qeveria dhe MASH-i, por edhe nga Komunat, të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit dhe me këtë edhe në ngritjen e cilësisë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Objekti shkollor në fshatin Svillarë është rinovuar nga Kompania “Alma Em”. Ministri Ademi, potencon se është përcaktuar që të promovohen  investimet që vijnë nga afaristët e vendit për t’i treguar opinionit për përgjegjësinë shoqërore që duhet kultivuar.
 
“Dua të përgëzoj kompaninë që ka investuar në renovimin e  tre shkollave në Komunën e Sarajit dhe një në Komunën e Gjorçes, investim i cili është më i qëlluari, sepse është në sferën e arsimit”- theksoi Ademi.
 
“Është një fjalë popullore “të ardhmen nuk mundemi ta parashikojmë, por mund ta krijojmë”, kështu që me fëmijët tanë ne mund ta krijojmë të ardhmen”- potencoi pronari i Kompanisë “Alma Em”, Muharrem Murtezani.
 
“Ta falënderojmë kontributin, gjestin human të pronarit të ndërmarrjes “Alma Em”, Muharrem Murtezani, që ka bërë për shkollën tonë”- tha përgjegjësi i sh. f. “Bajram Shabani”, Femi Latifi.
 
Me padurim kemi pritur fillimin e vitit shkollor dhe takimin me shoqërinë, thanë nxënësit.
 
“Jam shumë e lumtur që filloj në klasë të parë, me shoqet e mia dhe banka të reja”- u shpreh një nxënëse.
 
“Unë jam shumë e lumtur që e kanë ndërtuar shkollën e re dhe marr çdo ditë nota pesëshe”- tha një nxënës.
 
Ministri Ademi, bëri të ditur se këtë vit janë rikonstruuar 33 objekte të shkollave fillore dhe të mesme dhe janë ndërtuar 3 objekte të reja.
 
Sipas tij edhe në të ardhmen do të investohet në sferën e arsimit, me qëllim të ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë.
 
FLUTURA LATIFI