Maqedoni

Bie numri i nxënësve në rajonin e Likovës

01.09.2014 16:31

Edhe në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, sot, në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme ka filluar viti i ri shkollor...

Të gjitha shkollat fillim-vitin e kanë nisur të përgatitur, mirëpo brengos rënia e numrit të nxënësve në të gjitha nivelet.
 
Sa për ilustrim, të theksojmë se sivjet, në Komunën e Likovës, në klasën e parë janë regjistruar 300 nxënës, që është për 70 më pak se vitin e kaluar. Kjo shifër nuk ka të bëjë me rënien e natalitetit, pasi që Likova radhitet ndër Komunat me natalitet më të lartë, por ka të bëjë me faktin se edhe fëmijët shkojnë me prindërit në mërgim. 
 
Nga ana tjetër, në qendrat e mesme shkollore kemi një situatë interesante, derisa të dy gjimnazet, “Sami Frashëri “ në Kumanovë dhe “Ismet Jashari “ në Likovë, i kanë plotësuar  të gjitha vendet në 12 paralelet, shkolla e mesme dhe ajo e bujqësisë janë në gjendje brengosëse. Në ekonomi janë regjistruar vetëm 80 nxënës, përballë 196 sa ishin vitin e kaluar.  
 
Situatë edhe më brengosëse është në shkollën e mesme të bujqësisë, kur për katër paralele të planifikuara janë regjistruar vetëm 5 nxënës. 
 
Nga ana tjetër, në shkollën e mesme teknike, falë apelit tonë, përpos paraleleve të mjekësisë janë plotësuar edhe vendet tjera, kështu që në këtë shkollë vende ka edhe vetëm për 12 nxënës.
 
NEXHAT AQIFI