Maqedoni

Në Rashçe të Sarajit nuk ka filluar viti shkollor

02.09.2014 17:04

Një shtatori nuk solli fillimin e vitit shkollor për nxënësit e sh. f. “Drita” në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit...

Kjo shkollë, tre muaj më parë u kaplua nga zjarri, i cili shkrumboi thuajse gjysmën e objektit, ndërsa gjysma tjetër është e paprekur nga zjarri, por për shkak të vjetërsisë nuk i reziston motit të keq.
 
Dy ditë pas fillimit të vitit shkollor, në këtë shkollë shihen klasa të boshatisura, arsimtarë të grumbulluar në një zyre të improvizuar dhe punëtorë të cilët i riparojnë muret e plasaritura si pasojë e vjetërsisë dhe shiut. 
 
“Përveç pjesës të cilën e kaploi zjarri, pjesa tjetër nuk është e përfshirë nga zjarri, por janë të dëmtuar tavanet, nuk ka rrymë elektrike, një pjesë e shkollës nuk funksionon, por rreziku më i madh është kulmi nga i cili hyn shiu, sepse në kontinuitet është mot i keq me shi, pikon shiu në korridoret dhe klasat e shkollës”- deklaroi drejtori i sh. f. “Drita”, Ramadan Kovaçi.
 
Arsimtarët shprehen se sa më shumë vonohet riparimi i objektit, aq më të vështirë do ta kenë nxënësit. 
 
“Puna jonë, aktiviteti jonë i mirë do të ishte nëse në mesin tonë do të kishim edhe nxënësit”- theksoi arsimtari, Qamil Axhiu.
 
“Rrezikohet edhe shëndeti i fëmijëve për shkak të këtyre kushteve të kësaj shkolle, s’ka kushte”- potencoi arsimtari, Fari Rameti.
 
“Sa më shumë që zgjatë kjo gjendje, aq më vështirë do të jetë. Do të ndikon edhe në fundvit kur do të duhet të notohen ose të realizojnë testimin ekstern nxënësit”- tha arsimtarja, Aneta Gelevska.
 
“Do të ndikojë normal, por gjithçka do të varet nga ajo se kur do të fillojmë dhe si do ta kompensojmë materialin ne arsimtarët”- u shpreh arsimtarja, Nezafete Osmani.
 
Nga Komuna e Sarajit thonë se po bëjnë maksimumin për të riparuar dhe krijuar kushte minimale për nxënësit, por objekti kërkon intervenim më të madh dhe kjo është në ingerencë të MASH-it. 
 
“Këto intervenime, të cilat jemi duke i bërë për momentin, nuk janë intervenime të cilat garantojnë në të ardhmen një proces të mirë dhe konform kushteve dhe standardeve normale, por janë obligim dhe tentativë e jona që të krijojmë kushte minimale për mbarëvajtjen e procesit arsimor”- theksoi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
Nga shkolla e Rashçes thonë se mosfillimi i procesit mësimor është pasojë e mosmbajtjes së premtimit për rinovimin e objektit të shkollës gjatë pushimit veror nga ana e ish-ministrit të Arsimit, Spiro Ristovski, ndërsa aktualisht Ministria e Arsimit po bën përpjekje për të gjetur zgjidhje të përkohshme alternativë deri në rinovimin e plotë të objektit shkollor.
 
SANIJE KASAMI